17:02 / E Shtunë, 14 Nëntor 2020 / OSH

Gjerasim qiriazi, një farë që vazhdon të na ushqejë me frytet e diturisë

Figurat emblematike si kjo e Gjerasim Qiriazit, nuk lindin shpesh, por ato mjaftojnë të na kujtojnë edhe kur nuk jetojnë më, se punët e dobishme janë si fara që hidhet, frytet e së cilës mund të shijohen më vonë. Një prej atyre fryteve e kemi dhuratë edhe nga Gjerazim Qiriazi, sepse drita e diturisë që vazhdon të përhapet gjithandej është një farë e mbjellë prej tij para më shumë se një shekull.

Nga Dr. Skender ASANI

Dua ta ndaj me gjithë juve gëzimin se ja më në fund, atë që kishim pëshpëritur në një rreth të ngusht miqësh e kolegësh, sot mund ta bëjmë publike.
Sot ndodhemi para një guri, që nuk shënjon vetëm vendodhjen e një varri, por edhe trajektoren e një bote shpirtërore brenda së cilës lëvizi familja Qiriazi.
Në këtë trajektore e gjejmë edhe Gjerasimin, i lindur dhe rritur në Manastir, dhe brenda një moshe relativisht të re, atë e shohim vazhdimisht në lëvizje, kryesisht i ngarkuar me aktivitete që lidheshin me përhapjen e mësimeve ungjillore në gjuhën shqipe. Konkretisht ai drejtoi  bashkësinë ungjillore në gjuhën shqipe në qytetin e Manadstirit
Gjerasim Qiriazi jetoi vetëm 35 vite, deri më 24 janar 1894, kur i mbylli sytë për të fundit herë, por porositë që ai ia la të motrës Sevastisë dhe mbarë familjes, për të vazhduar përpjekjet iluministe në emancipimin dhe edukimin e popullit në frymën e shkronjave shqipe, dhanë fryte disa vite më vonë, konkretisht më 1908 kur në Manastir u mbajt Kongresi i Alfabetit, një ngjarje kjo e madhe kombëtare që kishte kaluar nëpër dyert e shtëpisë së Qiriazve.

Gjerasimi edhe pse nuk e arriti ta përjetojë këtë ngjarje, fryma e tij megjithatë kishte ngelur, madje e gdhendur me shkronjat shqipe në varrin e tij disa vite para Kongresit të Alfabetit. Pra. Gjerazimi nuk ishte dëshmitar i ngjarjeve të bujshme që do të ndodhin më vonë, mirëpo nderimi ndaj tij u bë pikërisht ashtu siç e meritonte ai. Sepse vetëm kështu do të shkonte në vend amaneti i tij për një përparim iluminist, mbi baza të tolerancës me fqinjët dhe mbi vizionin për një të ardhme pa barriera dhe paragjykime në mes të popujve, ashtu siç e shpreh edhe kjo ditë e sotme një realitet me diversitete fetare, ku varret shndërrohen në porosi dhe mision për më shumë afrim dhe tolerancë ndëretnike e ndërfetare.
Siç mund ta shohim, pranë varrit të Gjerazim Qiriazit prehet edhe një bashkëpunëtor i tij i afërt, Gjon Ciko, një librashitës shqiptar. Në gurin e varrit të tij, dikur në Manastir, por tani në Strumicë, shënohet se ai lindi në Korçë, më 1850 dhe vdiq më 1922 . Sikundër dihet, Gjon Ciko u përfshi në elitën kulturore të qytetit të Korçës, jo vetëm si shpërndarës i Shkrimit të Shenjtë në shqip, por edhe si drejtuesi i parë i takimeve ungjillore dhe si anëtar i Shoqërisë së Mësimit Shqip në Korçë, e cila u themelua për të mbështetur punën e Mësonjëtores. Figurat emblematike si kjo e Gjerasim Qiriazit, nuk lindin shpesh, por ato mjaftojnë të na kujtojnë edhe kur nuk jetojnë më, se punët e dobishme janë si fara që hidhet, frytet e së cilës mund të shijohen më vonë. Një prej atyre fryteve e kemi dhuratë edhe nga Gjerazim Qiriazi, sepse drita e diturisë që vazhdon të përhapet gjithandej është një farë e mbjellë prej tij para më shumë se një shekull.

Qoftë i bekuar emri i Gjerazim Qiriazit!