11:46 / E Mërkurë, 23 Shtator 2020 / indeksADMonline

Gjermanët ia shpëtojnë jetën, kritiku i Putinit lirohet nga spitali

Kritiku i Kremlinit, Alexei Navalny, ka dalë nga spitali. Ai ka qëndruar në një spital në Berlin, ku u trajtua pas helmimit gjatë një udhëtimi për në Moskë.

“Gjendja e pacientit është përmirësuar, kështu që nuk ka arsye të qëndrojë më i shtruar”, tha spitali Charite në një deklaratë të mërkurën.

“Bazuar në progresin e pacientit dhe gjendjen aktuale, mjekët besojnë se ai do të shërohet plotësisht. Sidoqoftë, është shumë herët për të vlerësuar efektet afatgjata për shkak të helmimit të tij.”

Berlini ka deklaruar se testet në Gjermani, Francë dhe Suedi kanë përcaktuar që Navalny ishte helmuar me agjentin nervor “Novichok” dhe Perëndimi ka kërkuar një shpjegim nga Rusia. Moska ka deklaruar se nuk ka prova që vërtetojnë se bëhet fjalë për një krim dhe ka refuzuar të hapë një hetim në lidhje me çështjen. Nga ana tjetër, Kremlini ka mohuar çdo përfshirje në këtë ngjarje.