11:58 / E Martë, 25 Maj 2021 / B O

Gjermania bën hapin e parë drejt veturave autonome në rrugët publike

Ligjvënësit gjermanë janë pajtuar që të lejojnë disa vetura vetëvozitëse në rrugët publike, si hapi i parë drejt mundësisë së ngasjes autonome në ekonominë më të madhe evropiane.

Ligjvënësit në dhomën e ulët të Parlamentit miratuan ligjin që mundëson ngasjen autonome nën disa kushte.

Sipas skenarëve, këtu përfshihen autobusët e vegjël dhe automjetet transportuese të mallrave, në rrugë të shkurtra.

“Kjo është korniza e parë ligjore në botë për ngasjen autonome në operime të rregullta”, ka thënë Ulrich Lange, shef i deputetëve të bllokut të kancelares, Angela Merkel.

Gjermania pritet që të zgjerojë investimet në teknologjinë e ngasjes autonome.

Avancimet më të mëdha deri tash në këtë fushë janë bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kinë.

Legjislacioni mundëson autonominë e nivelit të katërt – që nënkupton se një veturë mund të ecën pa shofer në kushte të caktuara. Për një veturë, që të kualifikohet si e tillë, Gjermania kërkon që njerëzit megjithatë patjetër të jenë brenda veturës, si në ulësen anash, apo edhe të qasen përmes pajisjeve tjera.

Qeveria gjermane i pret projektet e para gjatë vitit të ardhshëm. Dhoma e lartë duhet që të miratojë ligjin.