12:38 / E Hënë, 10 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Gjermania dhe Kina, në “luftë” për veturat elektrike

Ministri gjerman i Ekonomisë, Peter Altmaier, tha se vendi mund të konkurrojë me Kinën në prodhimin e baterive për veturat elektrike, duke këmbëngulur se blerësit e veturave në vendin e tij do të paguajnë më shumë për cilësi më të lartë të prodhuar, në Gjermani.

Përparësia e Kinës në teknologjinë e baterive shihet si një kërcënim për sektorin e veturave në Gjermani, që është një burim i rëndësishëm i të ardhurave dhe vendeve të punës për vendin.

Bateria është pjesa me më shumë vlerë te një makinë elektrike dhe përbën thuajse 45% të kostos së përbërësve.   Qeveria gjermane kërkon që të paktën 30% e prodhimit botëror të baterive të ndodhë në Evropë, transmeton Scan.

Berlini ka premtuar mbi 1 miliard euro për projekte evropiane të prodhimit të baterive.

Disa prodhuesi gjermanë, përfshirë Dailmerin dhe Boschin kanë qëndruar deri tani larg zhvillimit të teknologjisë së baterive.

Altmaieri mirëpriti angazhimin e Opelit në ndërtimin e qelizave të baterive dhe shtoi se cilësia e inxhinierisë gjermane do t’i japë përparësi vendit ndaj furnitorëve, krahasuar me rivalët kinezë.

Analistët thonë se kompanitë kineze pritet të kenë mbi 2/3 e tregut botëror të teknologjisë së re të baterive në dekadën e ardhshme.

Ky vit është i rëndësishëm për prodhuesit gjermanë të makinave, që duhet të rrisin shitjet e makinave elektrike për të shmangur gjobat nga Brukseli.