11:34 / E Enjte, 08 Dhjetor 2022 / k.v

Gjermania i dhuron pajisje Policisë së Kosovës në vlerë gjysmë milioni euro

Qeveria gjermane i ka dhuruar sot Policisë së Kosovës pajisje për mbikëqyrje dhe kontroll të kufirit në vlerë rreth gjysmë milioni euro.

Dorëzim pranimi i donacionit është bërë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë ku morën pjesë ambasadori gjerman, Jörg Rohde, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe zyrtarë nga Policia e Kosovës.

Ministri Sveçla i ka shprehur mirënjohje shtetit gjerman për bashkëpunimin. Ai tha se Policia e Kosovës tashmë do të jetë me efikase për të kryer detyrat e saj me këto pajisje moderne.

“Jemi takuar sot për të nënshkruar një kontratë mes qeverisë gjermane dhe Policisë së Kosovës, me ç’rast shteti gjerman na ofron ndihmën e nevojshme në mënyrë që policia të jetë sa më efikase”, ka thënë Sveçla.

Ai ndër të tjera tha se me ndihmën e donacionit do të jetë më e lehtë lufta e kontrabandës dhe kalimeve ilegale përgjatë zonës kufitare.

“Donacioni do të lehtësojë punën tonë dhe do të ndihmojë në luftimin e kontrabandës”, ka thënë ministri.

Ndërsa ambasadori Rohde ka thënë se jemi këtu, për shkak të partneritetin prej dy dekadash.

“Ky donacion i sotëm shpresoj që do të kontribuojë në sigurinë tonë të përgjithshme. Bashkëpunimi ynë në fushën e sundimit të ligjit, luftimin e krimit dhe korrupsionit është jashtëzakonisht i ngushtë dhe këto tema janë përmendur edhe në samitin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai.

Edhe zyrtarët nga Policia e Kosovës kanë falënderuar Gjermaninë për këtë ndihmë të madhe./IndeksOnline/