19:27 / E Martë, 12 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Gjermania ofron 13 milionë euro për të rinjtë e kthyer nga emigracioni në Kosovë

Ndihma financiare prej 13 milionë Eurosh nga qeveria e Gjermanisë për Kosovën do të shfrytëzohen në projekte të ndryshme, që kanë të bëjnë kryesisht me të rinjtë e kthyer nga migracioni.

13 milionë Euro është ndihma më e re e qeverisë gjermane për Kosovën, ndihma këto që do të ndihmojnë në zhvillimin e projekteve të ndryshme e që kanë të bëjnë kryesisht me personat kosovar të kthyer nga migracioni. Nga kjo ndihmë mund të zhvillohen projekte në arsim, rini dhe punësim, prioritete këto të shpallura edhe nga qeveria e Kosovës. Kështu thanë ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt dhe ministri i Financave i qeverisë së Kosovës Bedri Hamza, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet dy shteteve që përfshinë edhe ndihmën e fundit prej afro 13 milionëve.

“Nënshkrimi i marrëveshjeve të arritura ditëve të fundit mes dy qeverive ka rëndësi shumë të madhe për zhvillimin ekonomik. Gjermania e ka mbështetur vazhdimisht Kosovën dhe kjo ndihmë do të vazhdojë në shumë aspekte, me theks të veçantë në fushën e arsimit që rrjedhimisht në të ardhmen të rriten mundësitë për punësim”, u shpreh ambasadori gjerman Heldt.

Mbështetja financiare në volumin 13 milionë Eurove është ndihmë nga taksapaguesit gjermanë, tha ministri i financave në qeverinë e Kosovës, Bedri Hamza, duke theksuar se ndihma e Gjermanisë për Kosovën në rrafshin financiar dhe teknik do të ndihmojë në rrugën drejt integrimit sa më të shpejt të Kosovës në BE.