13:50 / E Hënë, 12 Tetor 2020 / indeksADMonline

Gjermania zotohet ta ndajë vaksinën antiCovid me Izraelin, kundërshton vendimin e marrë nga BE-ja

Berlini ka premtuar që Jerusalemi do të marrë çdo inokulim të mundshëm evropian sa më shpejt të jetë e mundur, pavarësisht vendimit të mëparshëm të BE-së për t’ia furnizuar atë vetëm kombeve në kontinent.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, informoi të dielën ambasadorin izraelit në Gjermani, Jeremy Issacharoff, për vendimin, i cili erdhi pas takimit të javës së kaluar midis ministrit të Jashtëm, Gabi Ashkenazi dhe homologut të tij gjerman, Heiko Maas në Berlin. 

Ndërsa numri i saktë i vaksinave është i paqartë, Izraeli pritët të marrë mijëra ose ndoshta miliona vaksina nëse iniciativa, do të realizohet, transmeton Indesonline.

“Unë falënderoj ministrat e Jashtëm dhe të Shendetësisë nga Gjermania për mbështetjen e tyre për Izraelin në luftën kundër koronavirusit”, tha Ashkenazi.

“Ky hap simbolizon miqësinë e veçantë dhe lidhjen e ngrohtë midis vendeve”.

Vendimi i Gjermanisë për të furnizuar Izraelin me çdo vaksinë të zhvilluar evropiane bie në kundërshtim me vendimin e marrë nga Komiteti i Sigurimit Shëndetësor të BE-së për të furnizuar vetëm vendet evropiane me ndonjë vaksinë.