23:38 / E Enjte, 21 Qershor 2018 / indeksADMonline

Gjetaj tregon rastin kur një fëmi u dërgua për shërim në Beograd, por …

Prenk Gjetaj nga Komisioni për të Pagjeturit, tregon se ka raste kur në periudhën e luftës nuk janë kursyer as foshnjat.

“Kemi raste që kërkohen si fëmijë. Një foshnje 6 mujore nga masakra e Izbicës, është gjetur në varrezën masive të Batajnicës, është rivarrosur sivjet”, ka thënë Gjetaj  në RTV Dukagjini.

Ai tregon se ka raste kur familjarët kanë dyshime se i kanë fëmijët gjallë nga periudha e luftës së fundit.

“Kemi një rast kur nga bombardimi i urës së Llazhanit, një familjar dyshon se djalin e vëllait të tij e ka parë të mbështjellë me fashë, dhe mendon se ai është gjallë, por ne nuk e kemi atë informacion”.

Zyrtari nga Komisioni për të Pagjeturit ka treguar edhe raste kur fëmijët janë dërguar për shërim në Beograd dhe nuk janë kthyer më as gjallë e as të vdekur.

“Kemi një rast kur në periudhën e luftës një fëmijë është dërguar në Beograd për shërim. Për shkak të rrethanave të luftës familjarët nuk kanë mundur ta vizitojnë dhe më vonë janë njoftuar se fëmiu ka ndërruar jetë”, deklaron Gjetaj, duke thënë se ata janë në proces të zbulimit të këtij rasti.