Gjilan: Policia procedon motoçiklistin që nuk përfilli urdhrat e ndalesës
Njësitet policore në Gjilan, dje kanë arritur ta lokalizojnë një person të dyshuar, i cili në disa raste, duke drejtuar motoçikletën e tij, nuk ka përfillur urdhrat e zyrtarëve policorë për t’u ndalur.
Me këtë rast, i dyshuari ka rrezikuar sigurinë e zyrtarëve policorë si dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.
“Gjatë procedurës për tërheqjen e motoçikletës, i dyshuari ka penguar zyrtarët policorë dhe personelin e autorizuar për bartjen e automjeteve në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare” deklaron Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan.
Lidhur me rastin, është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka autorizuar inicimin e procedurave kundërvajtëse ndaj të dyshuarit.
Atij i janë shqiptuar fletëparaqitje për kundërvajtje për prishje të rendit dhe qetësisë publike, si dhe fletëparaqitje sipas Ligjit për rregullat e trafikut rrugor.
Gjatë trajtimit të rastit janë evidentuar 8 kundërvajtje, për të cilat janë përpiluar fletëparaqitje për procedim në gjykatë. Po ashtu, është bërë sekuestrimi i përkohshëm i motoçikletës së përdorur nga i dyshuari.
Bëhet e ditur se lënda do të procedohet në procedurë të rregullt, pranë gjykatës kompetente.

