Ministria e Mbrojtjes ndan mbi 84 mijë euro për furnizimin me goma për automjetet e FSK-së
Ministria e Mbrojtjes ka dhënë kontratën për furnizimin me goma për automjetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në vlerë prej 84,860 euro.
Kontrata ka të bëjë me furnizimin me goma për kamionë, autobusë dhe automjete të tjera të FSK-së, me qëllim të rritjes së operacionalitetit dhe efikasitetit të forcës në kryerjen e detyrave të saj, raporton IndeksOnline.
Furnizimi do të realizohet në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ndërsa montimi dhe shërbimet përcjellëse do të ofrohen pranë lokacioneve të FSK-së në Prishtinë, Ferizaj, Gjilan, Mitrovicë, Istog, Pejë dhe Prizren, ose në pikën më të afërt me këto kazerma.
Marrëveshja kornizë do të ketë kohëzgjatje prej 36 muajsh.
Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, fitues i tenderit është kompania BauMachine L.L.C., nga Fushë-Kosova.
Vlera e parashikuar e kontratës kishte qenë 100 mijë euro, çka nënkupton se kontrata është lidhur për rreth 15 mijë euro më pak se fondi i planifikuar nga Ministria e Mbrojtjes.

