21:12 / E Mërkurë, 04 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Gjilanasit dikur u prekën nga një tërmet i fuqishëm, këto ditë hapën dyert për 186 familje nga Shqipëria

Në vitin 2002 gjilanasit ishin përballur me një tërmet mjaft të fuqishëm që solli dëme të mëdha dhe mori jetën e një personi.

Ndjesia e frikës nga tërmeti sigurisht se kuptohet më së miri nga qytetarët e kësaj komune.

Tani kur Shqipëria u përball me një tërmet 6.4 shkallësh të rihterit, gjilanasit nuk ngurruan që t’u dalin në ndihmë të prekurve nga lëkundjet e tokës.

Përpos ndihmave ushqimore, veshmbathjeve e parave që dërguan në Shqipëri, shumë gjilanas hapën dyert për të prekurit nga tërmeti, shkruan Indeksonline.

Kryetari i komunës së Gjilanit tha sot se janë pikërisht 186 shqiptarë të komunës së Durrësit që janë vendosur në familjet gjilanase dhe fëmijët e tyre prej të hënës kanë nisur vijimin në shkolla.

Askush më mirë se gjilanasit nuk e bashkëndjejnë dhembjen më vëllezërit tanë në Shqipëri sepse ne e kemi kaluar një tërmet me pasoja fatale dhe me dëme materiale në vitin 2002. Jemi bashkë në përballimin e kësaj situate”, ka thënë Lutfi Haziri./Indeksonline/