21:52 / E Diele, 15 Tetor 2023 / AR

Gjithçka po bëhet gati për meçin e madh të Luan Rudajt në Malishevë

Luan Rudaj po bëhet gati për ta mbrojtur titullin e kampionit të botës.

Garuesi kosovar i sportit Muay Thai ka bërë të ditur se po bëhet një punë e madhe që nata e 11 nëntorit të jetë e paharrueshme.

“Përgatitjet për mbrojtjen e titullit që pritet dhe programin kulturor, i cili do të mbahet më 11.11.2023, janë në kulmin e tyre. Komuna Malisheves po tregon një performancë organizative të jashtëzakonshme për të siguruar që të gjitha kërkesat të plotësohen dhe zbatohen, me qëllim që t’u ofrojë shikuesve një natë të paharrueshme. Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për mbështetjen e madhe dhe organizimin e shkëlqyer. Kjo më lejon të fokusohem plotësisht në stërvitjen time intensive në Tajlandë. Po pres me padurim të ju takoj të gjithëve në Kosovën tonë të dashur”, ka shkruar ai krahas një videoje të publikuar.

Rudaj do të përballet me iranianin, Reiss. Meçi mes tyre, i cili do të jetë edhe kryesori më 11 nëntor, do të zhvillohet në palestrën sportive “Habib Zogaj”, në Malishevë.