19:36 / E Shtunë, 28 Janar 2023 / MSH

“Gjuajti me armë zjarri në drejtim të Policisë”/ Policia jep detaje mbi tentimin e arrestimit të të dyshuarit për plagosjen në Fushë Kosovë

Sabit Islami është personi që dyshohet të ketë plagosur sot dy gra në rrugën “Besa – Besë” në Fushë Kosovë.

Pasi kishte shtënë me armë zjarri drje ttyre, duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore, Islami ishte larguar në drejtim të panjohur, për t’u lokalizuar më vonë në fshatin Nakaradë të Fushë Kosovës.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka dhënë detaje për Indeksonline lidhur me hetimet që kishte kryer policia deri në gjurmët e Islamit.

“Mbështetur në informacionet e pranuara në rrugë operative, policia ka lokalizuar vendndodhjen e të dyshuarit dhe menjëherë ka orientuar veprimet e saja taktike-operative në drejtim të arrestimit të të dyshuarit.

Për rrjedhojë, i dyshuari i armatosur, në përpjekje për t’iu shmangur arrestit policor në rrugën “Fehmi Lladrovci” në Fushë Kosovë, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të policisë duke rrezikuar drejtpërsëdrejti jetën e policëve si dhe qytetarëve përreth, dhe me këtë rast ka bërë të domosdoshëm dhe të pashmangshëm ndërmarrjen e të gjitha veprimeve policore në përputhje me autorizimet tyre.

Ndërkaq që sulmi ndaj policisë është neutralizuar i dyshuari në përpjekje e sipër për t’iu shmangur arrestit policor, në rrethana që aktualisht po trajtohen ka marrë plagë nga shkrepja e armës së zjarrit” ka thënë Ahmeti.

Ajo shtoi se bazat janë të forta që i dyshuari u vetëplagos, por që akoma rasti është duke u hetuar.

“Aktualisht përkundër që ka baza të forta dyshimi për vetëplagosje, policia bashkërisht me autoritetet e tjera relevante ligj zbatuese po heton me përpikëri të gjitha rrethanat që karakterizojnë rastin.”

Ahmeti konfirmoi për Indeksonline se Islami ndërroi jetë në QKUK, duke marrë trajtimin mjekësor.

“Ndërkohë që po vazhdon ndërmarrja e veprimeve hetimore e ekzaminuese, i dyshuari është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, nga ku rreth orës 18:45 kemi pranuar informatën se personi ka ndërruar jetë.”/Indeksonline/