75 Mall Live Search
18:55 / E Enjte, 17 Korrik 2025 / H F

Gjuajtja e eksplozivit në një lokal në Pejë, ngritet aktakuzë ndaj dhjetë personave

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton se ka ngritur aktakuzë ndaj dhjetë personave për veprat penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, ndihma në kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, “Kanosje” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë se huaj”.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri B.K, me datë 23 prill 2024, rreth orës 1:10, në një lokal në Pejë, duke gjuajtur eksplozivë dhe me veprimet e tij të rrezikshme ndaj lokali, ka rrezikuar jetën e njerëzve dhe ka shkaktuar dëme materiale, derisa i pandehuri paraprakisht ishte furnizuar në pompë të derivateve prej 1.5 litra dhe me të njëjtën e kishte hedhur në drejtim të lokalit duke ia vënë zjarrin”, thuhet në njoftim, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjithashtu, thuhet se i pandehuri B.K, akuzohet edhe për veprën penale “Kanosja”, ngase përderisa ishte duke u transportuar në stacionin policor, ka kanosur zyrtarin policor me fjalët “a e desh uniformën ti, shihemi pa uniforme, e sheh ti kush jam unë Peja është e vogël”, duke vazhduar me fjalë kanosëse edhe në stacionin policor ndaj zyrtarit policor me fjalët “pse po bëhesh si polici Triumf Riza, a e din se fati i tij te pret edhe ty”.

Kurse, tre të pandehurit M.E, D.B dhe L.A, akuzohen se me veprimet e tyre kanë ndihmuar të kryhet vepra penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” në lokalin i cili ishte cak i të pandehurve.

“Gjashtë të pandehurit, A.R, A.M, T.M, E.B, A.K dhe Y.D, në bashkëkryerje natën kritike, pasi gjuhet eksplozivi në lokal nga i pandehuri, shkojnë tek të pandehurit, këtë rast të dëmtuarit dhe i grushtojnë e i shkelmojnë duke ju shkaktuar lëndime, për çka akuzohen për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”. I pandehuri, A.R, akuzohet edhe për veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë se huaj” për shkak se natën kritike me thikë kishte shpuar gomat e veturës, e cila ishte shfrytëzuar nga të pandehurit për djegien e lokalit”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruar si me lartë.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila ju vihen në barrë.