75 Mall Live Search
15:38 / E Premte, 03 Prill 2026 / P M

Gjykata e Apelit e vërteton dënimin me burgim të përjetshëm për rastin e vrasjes së rëndë

Gjykata e Apelit e Kosovës, i ka refuzuar si të pabazuara, ankesat e mbrojtësve të akuzuarit J.V, av.F.L. dhe av. D.M., dhe ankesat e mbrojtësve të akuzuarit N.V, av. K.K dhe av. Sh.P, ndërsa e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, PKR.nr.533/2022 të datës 28.05.2025.

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, me aktgjykimin PKR.nr.533/2022 i datës 28.05.2025, të akuzuarin J.V. dhe N.V., për shkak të veprave penale të kryera në bashkëkryerje si: Vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.6 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe Dëmtimi i varreve apo kufomave nga neni 413 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, i ka shpallur fajtor dhe i ka gjykuar me dënim të përjetshëm, dhe në dënimin e shqiptuar ka llogaritur për secilin veç e veç edhe kohën që kanë kaluar në paraburgim.

Kolegji gjykues vlerëson se, aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është përfshirë në shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, të parapara në nenin 384 të KPPK, për të cilat shkelje përkujdeset kolegji i kësaj gjykate, si dhe vlerëson se gjykata e shkallës së parë ka paraqitur arsye të qarta dhe të plota duke dhënë arsye të duhura se cilat fakte konsiderohen të vërtetuara në këtë çështje penale, përkitazi me veprat penale të cilat i vihen në barrë të akuzuarve, e po ashtu ka paraqitur saktësinë e provave nga shkresat e lëndës, ka dhënë arsye të qarta për vendin, kohën, mënyrën e kryerjes së veprës penale, mënyrën se si ka ardhur deri të kryerja e kësaj vepre penale të cilat janë vërtetuar nga provat personale dhe ato materiale.

Sa i përket pretendimeve ankimore lidhur me shkeljen e ligjit penal, Gjykata e Apelit vlerëson se shkalla e parë në mënyrë të plotë dhe të drejtë ka vërtetuar ekzistimin e secilës vepër penale, pasi që ka vlerësuar të gjitha provat sikurse ato personale e po ashtu edhe ato materiale, andaj kolegji gjykues vlerëson se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë dhe të plotë ka vërtetuar gjendjen faktike kur të akuzuarit i ka shpallur fajtor , pasi që nuk ekzistojnë rrethana që e përjashtojnë përgjegjësinë penale dhe ndjekjen penale nga të akuzuarit.

Duke i vlerësuar të gjitha rrethanat e përshkruara si në këtë aktgjykim, kolegji gjykues është i bindur se me dënimin e shqiptuar me burgim të përjetshëm sikurse në dispozitiv të aktgjykimit, do të arrihet efekti dhe qëllimi i tij, që të parandalojë kryerësit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe të bëjë rehabilitimin e tij, të parandalojë personat e tjerë nga kryerja e veprave penale, të bëjë kompensimin e viktimave ose të komunitetit për humbjet ose dëmet e shkaktuara nga veprat penale dhe të shprehë gjykimin shoqëror për veprën penale, ngritjen e moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit, të paraparë në nenin 38 të KPK.Aktgjykimi i anonimizuar në linkun:https://apeli.gjyqesori-rks.org/…/AP_PAKR_2025-177687…