13:15 / E Martë, 01 Dhjetor 2020 / k.v

Gjykata e Apelit vendosi në rastin e të akuzuarit për krime lufte

Departamenti Special i Gjykatës së Apelit, e ka aprovuar pjesshëm ankesën e mbrojtësve të akuzuarit D.T. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren, i 22.06.2020,  është ndryshuar vetëm sa i përket cilësimit juridik të veprës penale dhe vendimit mbi dënim.

Gjykata e Apelit, gjeti se në veprimet e të akuzuarit, të ndërmarra gjatë luftës se fundit në Kosovë, konkretisht ndërmjet 25-27 marsit 1999, përmbushen të gjitha elementet e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” nga neni 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë( LPRSFJ), vepër kjo sanksionuar edhe sipas nenit 3  Konventës së Gjenevës dhe protokollit të dytë të saj.

I akuzuari,  është dënuar nga Gjykata e Apelit,  më 11( njëmbëdhjetë) vjet burgim, në të cilin i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim.

Sapo të jetë i gatshëm, aktgjykimi do t’u dërgohet palëve sipas procedurave të parapara me ligj dhe do të publikohet  i edituar në faqen zyrtare të gjykatës.