16:03 / E Mërkurë, 16 Shtator 2020

Gjykata e Pejës dënon me 800 euro një qytetar për dhënie të ryshfetit

Gjykata Themelore në Pejë –  Departamenti për Krime të Rënda ka  njoftuar se ka shpallë  aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit E.R për shkak se:

Me datë 13.09.2020 rreth orës 23:20 minuta, në fshatin V, Komuna P, pikërisht në afërsi të pompës së derivateve të naftës “P.C”, me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejt i jep përfitim pasuror personit zyrtar në mënyrë që ai person të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që ditën kritike përderisa i pandehuri po qarkullonte me veturën e tij ndalohet nga ana e policisë, me ç’rast pasi i merret dokumentacioni dhe konstatohet përmes alkool testit se i pandehuri ka qenë duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, me këtë rast është njoftuar se kishte kryer kundërvajtje, e ku këtu i pandehuri nxjerr nga xhepi kartëmonedhën me vlerë prej pesëdhjetë (50) euro duke ua ofruar zyrtareve policor, me kërkesë për ta lëshuar dhe mos u marr me të, mirëpo i njëjti është arrestuar nga ana e policisë ndërsa kartëmonedha është sekuestruar,

Ndaj të akuzuarit gjykata shqiptoj denim me gjobë në shumë prej treqind (300) € dhe denim me burg në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muaj. Me pëlqimin e të akuzuarit dënimi me burg i është shndërruar  në dënim me gjobë në shumë prej pesëqind (500) €.

Andaj,  gjykata i shqiptoj denim unik me  gjobë në shumën prej tetëqind (800) €, të cilin dënim do t’a paguaj brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Nëse i akuzuari dënimin me gjobë nuk e paguan në afatin e caktuar, dënimi me gjobë do t’i zëvendësohet me dënim me burg, duke llogaritur një (1) ditë burgim për çdo njëzet (20) euro të gjobës.

Të akuzuarit i konfiskohet monedha në shumë prej pesëdhjetë (50) € dhe e njëjta pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi urdhërohet që t’i alokohet mjeteve të buxhetit të Republikës së Kosovës.

I akuzuari obligohet që në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej njëzet (20) € dhe shumën prej pesëdhjetë (50) euro në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit.

Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.