17:52 / E Enjte, 22 Mars 2018 / indeksADMonline

Gjykata ende pa vendim për deputetët e arrestuar të Vetëvendosjes

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka ka thënë se është gjykata ajo që vendos se a do t’i lirojë apo do t’i lë në arrest shtëpiak shtatë deputetët e Lëvizjes së Vetëvendosje.

Sipas Bekës, prokuroria ka kërkuar një muaj paraburgim për deputetët e arrestuar dje, pasi kanë hedhur gaz në Kuvend në kundërshtim të miratimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

‘’Aktualisht nuk është duke ndodhur asgjë me kërkesën tonë. Ata janë në paraburgim dhe gjykata vendos për kërkesën e prokurorisë. Gjykata merr vendim nëse i lë në arrest shtëpiak, apo i cakton paraburgim”, ka thënë Beka për “Indeksonline”.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje sot ka kërkuar lirimin e shtatë deputetëve të saj, të arrestuar një ditë më parë për gjuajte të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Të arrestuarit janë: Arbërie Nagavci, Drita Millaku, Fitore Pacolli, Liburn Aliu, Valon Ramadani, Salih Zyba dhe Xhelal Sveçla.

Sipas Vetëvendosjes, deputetët që u arrestuan dhe u larguan dhunshëm nga salla e Kuvendin ende po vazhdojnë të mbahen në paraburgim vetëm pse u vunë në mbrojtje të republikës.

“Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të deputetëve. Deputetët që u arrestuan dhe u larguan dhunshëm nga salla e Kuvendin ende po vazhdojnë të mbahen në paraburgim vetëm pse u vunë në mbrojtje të Republikës”, thuhet në reagimin e VV-së./Indeksonline/