11:45 / E Mërkurë, 29 Janar 2020 / indeksADMonline

Kushtetuesja s’i pranon lëndët për kompensim të dëmeve të luftës, i drejton nga Serbia

Për herë të shtatë shoqata “Ngritja e zërit” në Kushtetuese ka dorëzuar lëndë rreth vlerësimit të kushtetutshmërisë së aktit juridik të Gjykatës Supreme me rastin e refuzimit të padive për kompensimin e dëmeve të luftës.

Kryetari i kësaj shoqate, Jahir Bejta, tha se për herë të shtatë po i drejtohen Kushtetueses për vlerësimin e kushtetutshmërisë për vendimet e marra nga ana e Gjykatës Supreme të Kosovës.

Sipas tij gjykatat në Kosovë po i hedhin poshtë paditë e tyre për kompensim të dëmit gjatë luftës me arsyetimin se gjykatat vendore nuk kanë kompetenca për shqyrtimin e të padive, duke i drejtuar ata kah gjykata në Serbi.

“Gjykata themelore e Kosovës padrejtësisht i kanë refuzuar i kanë hedhur paditë për kompensim dëmi, gjykatat e apelit i kanë refuzuar ankesat duke i mbështetur aktvendimet e gjykatave themelore si të drejtat, Gjykata Supreme nuk e ka lejuar procedurën e revizionit, ndërsa Gjykata Kushtetuese edhe ajo fatkeqësisht na i trajton si të papranueshme kërkesat për vlerësimin e kushtetueshmërisë“, tha ai.

Madje ai ka thënë se Kushtetuesja po mundohet ta mbulojë marren juridike të gjykatave.

Sipas tij kjo gjykatë nuk po intervenon në rastet kur shkelen të drejtat e njeriut.

“Gjykata Kushtetuese mendimi ynë është se orvatet ta mbulojë marren juridike të gjykatave të rregullta duke na i hedhur edhe kjo dhe duke u pranuar si të papranueshme kërkesat pasi që Gjykata Kushtetuese ka për obligim t’i shqyrtojë shkeljet e dispozitave ligjore që janë në kundërshtim me dispozitat e Kushtetueses. Pikërisht me Kushtetutën e Kosovës, Konventën për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut janë shndërruar në rendin juridik të brendshëm, madje me epërsi dhe përparësi implementimi”, u shpreh Bejta.

Bejta mendon se përmes Wettingut në sistemin e drejtësisë do hidhet dritë edhe tek këto raste që kërkohet kompensim të dëmeve gjatë luftës.

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, asaj Supreme dhe Themelore për refuzimin e këtyre padive i ka quajtur absurde avokati i kësaj shoqate, Kadri Osaj, i cili tha se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk po e shfleton infrastrukturën ligjore dhe ndërkombëtare për t’iu përgjigjur këtyre lëndëve.

“Qëndrimet e Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave themelore për ne janë absurde për faktin se kur marrin vendimin e tyre nuk e shfletojnë fare infrastrukturën tonë ligjore dhe atë ndërkombëtare dhe praktikat e mira gjyqësore të rasteve të tilla identike. Konsiderojmë se veprimet e tyre nga Gjykata Themelore deri te Gjykata Kushtetuese janë të padrejta dhe padrejtësisht janë refuzuar kërkesë paditë tona”, tha ai.