11:01 / E Martë, 13 Mars 2018 / indeksADMonline

Gjykata në Gjilan ka 15 muaj pa kryetar-shpallet konkursi për herë të tretë

Gjykata Themelore në Gjilan, ka më shumë se 15 muaj që funksionon me ushtrues detyre të kryetarit.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), nuk ka arritur që edhe pas gjithë këtyre muajve, të zgjedh kryetarin e kësaj gjykate.

Zgjedhja e kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjilan, ka dështuar dy herë në KGJK, për shkak se asnjëri nga kandidatët nuk kishte marrë shumicën afirmative të votave për tu zgjedhur në këtë pozitë.

KGJK-ja ka shpallur konkursin e tretë me radhë për këtë pozitë, dhe procedura për zgjedhjen e kryetarit të kësaj gjykate është ende duke vazhduar.

Drejtori i Sekretariatit të KGJK-së, Shkelzen Maliqi, ka thënë për “Betimi për Drejtësi” se ky këshill është duke proceduar lidhur me këtë çështje.

Ai ka thënë se në garë për këtë pozitë janë gjashtë kandidatë.

“Konkursi për kryetar të Gjykatës Themelore në Gjilan është mbyllur. Ne jemi duke i respektuar procedurat ligjore. Shumë shpejt komisioni do të bëjë edhe intervistimin e kandidatëve për këtë pozitë dhe emrat do të dërgohen në mbledhje të këshillit. Për këtë pozitë në garë janë gjithsej gjashtë kandidatë”, ka deklaruar Maliqi.

Ai ka thënë se në këtë rast nuk mund të veprohet me urgjencë, pasi sipas tij, duhet të respektohen procedurat.

Temat: