16:44 / E Diele, 09 Shtator 2018 / indeksADMonline

Gjykata rrëzon Panuçin, i kthen padinë ndaj Nishanit për mangësi

Beteja e trajnerit të kombëtares Christian Panuçi me ish-presidentin e vendit, Bujar Nishani nuk pritet të jetë e thjeshtë. Vetëm disa ditë më parë u zbulua se tekniku i skuadrës kuqezi kishte paditur ish-numrin një të shtetit, Nishani për cenim të imazhit, por gjatë ditës së sotme mësohet se Gjykata e ka kthyer këtë padi.

Vendimi është marrë nga gjyqtarja Anila Karanxha, e cila ka vendosur kthimin e padisë me argumentimin se kishte kishte të meta në formulim, zbulon Top Channel.

Nga ky moment i kthimit të padisë nga gjykata, trajneri Christian Panuçi ka 20  ditë kohë për të bërë ndryshimet e nevojshme dhe të kërkojë rigjykim të padisë.

Në rast të kundërt, nëse brenda këtij afati nuk plotësohen kërkesat e gjykatës, atëherë automatikisht padia cilësohet e rrëzuar. Tashmë mbetet për t’u parë se cili do të jetë hapi pasardhës i teknikut italian Panuçi në këtë këtë betejë të nisur me ish-presidentin Nishani. Italiani theksoi se e ngriti padinë për të kërkuar respekt nga një njeri që deri para një viti kishte qenë numri një i shtetit shqiptar.

Zanafilla e gjithë kësaj historie lindi nga një postim në rrjetet sociale. Pas humbjeve me Kosovën dhe Ukrainën, ish-presidenti postoi një status në facebook, ku nuk i kursente kritikat e ashpra.

Për këtë reagim të ish-numrit  një të shtetit, trajneri i kombëtares Panuçi kërkon dëmshpërblim për dëmin moral që i është shkaktua në syrin e opinionit publik.