13:14 / E Mërkurë, 31 Janar 2018 / indeksADMonline

Gjykata Speciale shtrembëron luftën e UÇK-së

Gjykata Speciale dhe tendenca për shfuqizimin e saj, ishin temë që u diskutua në tryezën “Dhomat e specializuara dhe raporti me institucionet e Kosovës”, organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Albulena Haxhiu tha specialja është gjykatë politike që synon të shtrembërojë luftën për liri të UÇK së, por tendenca për shfuqizimin e saj është e padrejtë.

“Më 22 dhjetor 2017 një grup i deputetëve kërkuan shfuqizim të ligjit. Vetëvendosje ka pasur qëndrim të qartë edhe për këtë tendencë. E kemi konsideruar si nismë jo serioze. Në mënyrë tinëzare dhe jo serioze. Ata deputetë përfaqësonin interesat e individëve, prandaj nuk e kemi mbështetur projektligjin, i cili u procedua tashmë në qeveri”, tha ajo.

Glauk Konjufca tha se ‘specialen e themeluan letrat e Atifete Jahjagës’ dhe nëse presidenti Hashim Thaçi është për shfuqizimin e saj, atëherë duhet të tregojë.

“Përgjegjësit kryesorë që po e iniciojnë shfuqizimin e Gjykatës Speciale janë Thaçi, Veseli dhe Haradinaj. Nëse dhomat e specializuara janë themeluar nga letrat e Jahjagës, Hashim Thaçi duhet të pozicionohet. Nëse Thaçi dëshiron që gjykata të zhbëhet duhet të tregojë çka mendon për letrat e Jahjagës. Nëse Thaçi mendon që dhomat nuk janë të drejta, duhet t’i shkruaj letër Mogherinit dhe të thotë se nuk qëndron prapa letrave të Jahjagës dhe të distancohet. Për sa kohë që ekziston letra e Jahjagës, atëherë Hashim Thaçi duhet të pozicionohet”, tha ai.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurit, tha se iniciativa për shfuqizimin e speciales synon largimin e heqjes së emrit të Hashim Thaçit nga lista e të akuzuarve.

“E di që shumë njerëz janë lodhur. Themi hajt se kjo gjykatë na heq pushtetarët e korruptuar, politikanët e krimit të organizuar. Nuk mund t’i heqim qafe me iniciativa që vijnë nga Serbia e Rusia. Popujt e tjerë i kanë rrëzuar e larguar të korruptuarit e kriminelët. Në Kosovë shumë prej tyre politikan duhet akuzuar si kriminel të paqes, çfarë i kanë bërë popullit tonë, e jo si kriminelë të luftës. Thaçi duhet ta dëshmojë që nuk është duke e vazhduar pazarin dhe të japë dorëheqje. Për ta dëshmuar që është penduar duhet të japë dorëheqje dhe problemi kryesor me iniciativën për shfuqizimin është mungesa e sinqeritetit dhe seriozitetit për shfuqizimin. Nuk e ka përnjëmend dhe nuk është fare serioz në këtë i iniciativë, sepse ka hyrë pa përgatitur. Jam i bindur që kjo iniciativë s’e ka synim ta heqë Gjykatën Speciale, por emrin e tij nga Gjykata Speciale”, tha ai