12:27 / E Enjte, 12 Dhjetor 2019

Gjykata Themelore e Ferizajt më transparentja, kërkohet që gjyqësori të jetë më transparent

Gjykata Themelore e Ferizajt është shpallur sot si gjykata më transparente në Kosovë, ndërsa është thënë se i gjithë sistemi gjyqësor në vend ka shënuar rritje të transparencës.

Gjatë konferencës “Rritja e transparencës së gjyqësorit”, organizuar nga USAID-i, BIRN-i dhe organizata FOL, u tha se sistemi gjyqësor në Kosovë viteve të fundit është bërë më transparent, ku publiku përveç që mund të marrë pjesë në gjykime ai njoftohet edhe përmes faqeve zyrtare të të gjitha gjykatave. Megjithatë, është kërkuar që puna për transparencë të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Zyrtarja për demokraci dhe qeverisje e USAID-it në Kosovë, Christina Davies, tha se gjyqësori sot është më transparent dhe se qytetarët janë më të informuar se ç’do të ndodh brenda seancave gjyqësore.

Ajo tha se rekomandimet e shoqërisë civile dhe të medias janë vitale sa i përket transparencës dhe llogaridhënies në Kosovë.

“Sot qytetarët janë më shumë të informuar se çfarë ndodh brenda dhomave të juaja të gjykatës, keni publikuar më shumë se 60 mijë aktgjykime në ueb sajtin e juaj brenda këtyre viteve. Kryetari i ka hapur të gjitha dyert duke bërë ditë të hapura për të gjithë…Raportet dhe rekomandimet e shoqërisë civile dhe të medias janë vitale sa i përket transparencës dhe llogaridhënies në Kosovë. Qytetarët e Kosovës kanë pritur për një kohë të gjatë për drejtësi, tash është koha për një bashkëpunim të mëtutjeshëm dhe llogaridhënie. Ne presim gjithashtu për vitet tjera që të kemi një bashkëpunim më të suksesshëm dhe që t’i tregojmë publikut që gjyqësori nuk është vetëm transparent por është edhe llogaridhënës për të gjithë qytetarët”, tha Davies.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj, tha se ngritja dhe përmirësimi i transparencës së gjyqësorit është një nga metodat më efikase për luftimin dhe parandalimin e korrupsionit.

“Luftimi i korrupsionit, po edhe i dukurive të tjera negative është luftë e vazhdueshme për të gjitha vendet, por po ashtu edhe për vendin tonë. Ne jemi të dedikuar që të angazhohemi që korrupsioni si dukuri të luftohet dhe të parandalohet, ngritja dhe përmirësimi i transparencës së gjyqësorit është një nga metodat më efikase për luftimin dhe parandalimin e këtyre dukurive negative. KGjK, unë si kryesues, kryetarët e gjykatave dhe gjyqtarët vazhdimisht jemi duke punuar që ta përmirësojmë transparencën, llogaridhënien, qasjen në drejtësi dhe ta shtojmë besimin e qyte1tarëve në gjyqësor. Sidoqoftë, gjithmonë ka hapësirë për përmirësime, e në këtë drejtim shoqëria civile e ka një rol të rëndësishëm në përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies së gjyqësorit”, tha ai.

Ai tha se i mirëpresin të gjitha monitorimet dhe raportimet që bëhen nga organizatat e shoqërisë civile, të cilat ofrojnë zgjidhje dhe rekomandime praktike. Çoçaj përmendi se si KGjK kanë nënshkruar disa memorandume të mirëkuptimit me organizatat dhe se kanë marrë parasysh shumë prej rekomandimeve të tyre.

Kryesuesi i KGjK-së Skender Çoçaj, tha se viteve të fundit është zvogëluar dukshëm numri i lëndëve të vjetra, është rritur efikasiteti, është përmirësuar dukshëm transparenca, publikimi i aktgjykimeve.

“Gjatë këtij viti KGjK ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për përmirësimin e transparencës, kemi filluar t’i publikojmë rregulloret për konsultime publike, kemi lansuar faqen e internetit për KGjK-në dhe për të gjitha gjykatat e Kosovës, e cila mundëson qasje dhe përdorim të lehtë të kësaj faqeje, kemi publikuar rregullisht agjendat e takimit të Këshillit, procesverbalet dhe vendimet e marra në këto takime, kemi filluar raportimin rreth publikimit të aktgjykimeve nga gjykatat, si dhe informata të tjera. Pa dyshim që kemi bërë përmirësim edhe sa i përket llogaridhënies dhe qysh nga hyrja në fuqi e ligjit për përgjegjësinë e disiplinimit të gjyqtarëve shihet qartë se llogaridhënia është rritur, kemi marrë një numër të madh të kërkesave për fillimin e procedurave disiplinore për gjyqtarët dhe proceset janë në vazhdim e sipër”, tha Çoçaj.

Këshilltare ligjore në FOL, Nora Bajrami, ka bërë prezantimin rreth publikimit të aktgjykimeve të Gjykatave, ku tha se në gjykatat nga 1 maji deri më 15 nëntor janë publikuar 6 mijë e 611 aktgjykime.  

Ajo tha se Gjykata Themelore e Ferizajt ka publikuar 1 mijë e 245 aktgjykime, e që sipas saj është gjykata që ka bërë numrin më të madh të publikimit të aktgjykimeve.

“Numri që e kanë publikuar gjykatat ka qenë 10 mijë e 186 aktgjykime, apo që i bie nëse i përkthejmë në muaj 250 aktgjykime për muaj. Një gjendje krejt tjetër është tani kur edhe jemi duke fol ku gjykatat tona kanë publikuar 6 mijë e 611 aktgjykime nga fillimi i projektit e deri më tani. Vlen për me u theksua muaji nëntor i cili ende nuk ka dal si raport do të del në ditët në vijim që gjykatat kanë publikuar numrin më të madh të aktgjykimeve që i kanë publikuar ndonjëherë, e që numri është 1 mijë e 800 aktgjykime. Gjatë monitorimit tonë ne kemi dashur me i nxjerr edhe cila gjykatë ka nxjerrë më shumë aktgjykime apo ka publikuar në ueb faqet e tyre dhe ajo është Gjykata Themelore e Ferizajt me 1 mijë e 245 aktgjykime, mandej është Gjykata e Apelit me 1 mijë e 176 aktgjykime dhe është Gjykata Themelore e Prizrenit me 1 mijë e 56 aktgjykime”, bëri të ditur Bajrami.

Ajo bëri të ditur se numri i gjyqtarëve që kanë filluar të publikojnë aktgjykimet është rritur në 75 për qind, ku tha se kur kanë filluar monitorimin në muajin maj vetëm 70 gjyqtarë kanë publikuar aktgjykime, ndërsa tani ajo tha se numri i gjyqtarëve ka shkuar në 188 gjyqtarë.

Bajrami ka bërë të ditur edhe natyrën e aktgjykimeve të publikuara, ku tha se lëndë të natyrës penale janë publikuar 4 mijë 479 lëndë, civile 1 mijë e 590, administrative 133, ndërsa ekonomike 109. Po ashtu, nga lëndët e natyrës penale ajo ka bërë të ditur se 60 lëndë janë të korrupsionit, 62 janë lëndë dhunë në bazë gjinore dhe 21 krim i organizuar. 

Pjesë e monitorimit Bajrami tha se ka qenë edhe sa është respektuar anonimizimi i aktgjykimeve, ku tha se anonimizimi i aktgjykimeve bëhet në 98 për qind të rasteve, gjë që tha se është një hap pozitiv për gjykatat.

Sa i përket respektimit të vendimit të KGjK-së rreth përdorimit të shabllonit në aktgjykime, Bajrami tha se ky vendim nuk është respektuar në praktikë ku 58 për qind nuk e kanë aplikuar këtë vendim.

Gjykata Themelore është shpallur nga USAID, BIRN dhe FOL si gjykata më transparente në Kosovë, ku kryetari i kësaj gjykate Bashkim Hysenaj, tha se ky çmim reflekton angazhimin dhe punën e tyre që gjykatat të jenë tërësisht të hapura për publikun.

“Është një nder i veçantë për mua që në emër të Gjykatës Themelore në Ferizaj të pranojë çmimin për gjykatën më transparente. Kjo reflekton më së miri angazhimin tonë dhe përpjekjet tona në përditshmëri për të arritur që gjykatat tona të jenë gjykata tërësisht të hapura për publikun dhe që në rrugëtimin tonë të bëjmë që gjykatat kosovare të jenë në tërësi ekuivalente sa i përket transparencës në gjykatat e vendeve të unionit Evropian”, tha ai.

Konferenca “Rritja e transparencës së gjyqësorit në Kosovë”, është organizuar nga USAID-i, BIRN-i dhe organizata FOL.