12:26 / E Enjte, 10 Qershor 2021 / OSH

Gjykim i përshpejtuar për burrin që e goditi Macronin shpullë, sot del në gjyq

Damien Tarel, entuziasti i arteve marciale të Mesjetës, i cili e goditi me shuplakë të martën presidentin francez, Emmanuel Macron, do të dalë të enjten para gjyqit në një procedurë të përshpejtuar.

Tarel ka pranuar se e ka goditur presidentin përderisa ky i fundit po zhvillonte një vizitë në një kolegj për trajnime profesionale, por hetuesve u ka thënë se goditja nuk ka qenë e paramenduar, njoftoi prokurori Alex Perrin.

Burri i papunë, 28 vjeç, tha gjatë marrjes në pyetje se ka qenë i afërt me lëvizjen anti-qeveritare të jelekverdhëve dhe se ka pasur qëndrime politike të së djathtës ekstreme, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

“Ai pohoi se ka vepruar nga impulsi dhe pa menduar për ta shfaqur pakënaqësinë e tij”, thuhet në deklaratën e prokurorit Perrin, të publikuar në orët e vona të së mërkurës.

Incidenti mori vëmendje të madhe në Francë dhe jashtë saj. Sidoqoftë, vetë presidenti Macron e cilësoi rasti si incident të izoluar dhe tha se dhuna e urrejtja janë kërcënim për demokracinë.