23:10 / E Mërkurë, 07 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Gjyq për makinat pa shofer, përplasje Google vs Uber

Dy aktorët më të mëdhenj në teknologjinë e makinave autonome nuk po përplasen vetëm për të tërhequr sa më shumë klientë.

Google dhe Uber janë vënë përballë në një gjykatë të San Franciskos. Uber është paditur nga Waymo, sektori i Alphabet për testimin dhe prodhimin e makinave pa drejtues.

Waymo pretendon se Uber i ka vjedhur teknologjinë Lidar, që përdoret për të dalluar dritën dhe distancën nga objekte të tjera dhe pajisja kyçe që i mundëson një automjeti pa shofer që të kuptojë se çfarë ndodh në ambientin rreth e rrotull e të reagojë.

Ndryshe nga çështjet e tjera, kjo përplasje dallon për faktin se do të shqyrtohet në publik dhe përballë një jurie.

Brenda 2-3 javësh, Waymo do të paraqesë para jurisë pretendimet e veta dhe më pas Uber do të dorëzojë dosjen e saj mbrojtëse.

Në rast se Google fiton çështjen, në rastin më të mirë Uber do të humbasë disa qindra miliona dollarë, ndërsa në rastin më të keq do t’i duhet të heqë dorë nga Lidar, që do të ishte një goditje e rëndë për kompaninë.