75 Mall Live Search
14:54 / E Mërkurë, 24 Qershor 2026 / P M

Gjyqi ndaj grupit të Laert Haxhiut/ Kleviol Ahmetaj rrëfen sherrin me Noizyn: Hoqa syzet për respekt, më qëlloi me grusht

Është mbajtur sot seanca e radhës në GJKKO për grupin e Laert Haxhiut.

Kleviol Ahmetaj, personazh i njohur në rrjetet sociale, ka dëshmuar në procesin ndaj anëtarëve të grupit të Laert Haxhiut në Gjykatën e Posaçme.

Gjatë dëshmisë së siguruar për Top Channel nga Anila Hoxha, Ahmetaj deklaroi se nuk ka pasur lidhje me të pandehurit dhe se njohja e tij me Laert Haxhiun ka qenë vetëm familjare dhe nga fëmijëria, pasi kanë jetuar pranë njëri-tjetrit në Lushnje.

Ai tha se pas daljes nga burgu në vitin 2020 nuk ka pasur asnjë kontakt me Haxhiun, ndërsa mohoi çdo përfshirje apo dijeni për ngjarjet për të cilat akuzohet grupi.

Në dëshminë e tij, Ahmetaj foli edhe për konfliktin me këngëtarin Rigels Rajku, i njohur si Noizy, duke treguar versionin e tij për përplasjen në Durrës dhe duke deklaruar se nuk ka menduar për hakmarrje pas saj.

Për shpërthimin me tritol në lokalin e Noizyt, Ahmetaj tha se e kishte mësuar nga persona të tjerë gjatë kohës që ishte në burg dhe se nuk kishte dijeni se kush qëndronte pas ngjarjes.

Kleviol Ahmeti: Nuk kam asnjë lidhje me të pandehurit, as familjare, as miqësore. Me Laert Haxhiun kam njohje. Jetoj në Lushnje, Laerti është jo më larg se 150 m larg shtëpisë time. Jemi rritur bashkë, njihemi familjarisht. Në vitin 2007 kemi luajtur futboll. Kam qenë në Amerikë dhe kur kthehesha rrija në Lushnje. Kur e kam njohur Laertin ka qenë pa punë. Vitet e fundit unë s’e kam takuar hiç. Vij nga SHBA në 2013 dhe në 2014 bie në burg. Kam dalë në vitin 2020 nga burgu dhe nuk jam takuar më me të. Burgun e kam vuajtur në IEVP 313, 302, Fier dhe Durrës. As telefonatë dhe asnjë lloj kontakti nuk kam pasur me Laertin.

Me Rigels Rajkun e kam të njohur, njohuri artistike. Ai është muzikant i njohur dhe unë kam qenë muzikant i panjohur. Ky Rigels Rajku, për të marrë famë, shante Viktor Palokën, i njohur si Unikkatil. Ne, kur na shante Noizy, ishim në Amerikë. Pas 15-20 viteve ia kthej edhe unë me muzikë, duke sharë Noizyn. Unë jam shkrimtar, shkruaj tekste muzike. Kur dola në 2020 doja të bëhesha i famshëm dhe fillova të ngacmoja në mënyrë artistike, quhet diss. Dhe kur bëra këngën u bëra i famshëm dhe po më pëlqente.

Dhe një ditë të bukur i thashë vetes: boll me diss-e dhe shkova t’i kërkoja falje. Isha i shoqëruar atë ditë në Durrës. Kur shkova te lokali Zins në Currila, u parkova dhe u thashë të mos dilnin nga makina.

Kur vajta aty, doli Rigels Rajku, djali i Bashkimit, dhe 12 veta. Aty më rrahën, më shkelën kokën me këmbë. Pata mpiksje gjaku në kokë. Shkova në spital, u mjekova dhe u arrestova, sepse isha në arrest shtëpie dhe përfundova në burg.

Unë e kisha njoftuar që po i shkoja te lokali dhe kisha hapur Instagramin live dhe thoja që po shkoja në Durrës te Noizy. Kur hyra te lokali ishte një roje. I thashë: ma thirr Noizyn. Ai erdhi për 24 sekonda dhe erdhi bashkë me bandën e tij OTR. Nuk i njoh kush ishin ata që shoqëronin Noizyn. Kur erdhi Noizy, unë hoqa syzet për ta respektuar dhe në atë moment më qëlloi me grusht dhe më qëlluan 6-8 veta.

U përfshinë në sherr dhe dy shokët e mi, njërit prej të cilëve iu thyen dhëmbët.

Unë kam pasur dëmtime në kokë dhe brinjë. Për këtë ngjarje kam dhënë deklaratë kur kam qenë në IEVP Fier. Nënën e kisha në Shqipëri, të tjerët ishin në Amerikë. Është dokumentuar me pamje filmike dhe më qëllojnë.

Nuk mendova të hakmerresha ndaj Noizyt. Lajmin për shpërthimin me tritol të lokalit të Noizyt e dëgjova nga shokët e burgut. Kur shkova në sektor, e mora vesh që kishte ndodhur shpërthimi pas disa ditësh. Pastaj më thërret një oficer policie në Durrës dhe më thotë se ka një hetim për shpërthimin me tritol.

Unë i thashë se nuk e di kush ia ka vendosur tritolin, se isha në burg. E mendova me vete kush mund ta kishte bërë, e mendova se mund ta kishte bërë BABA. Nuk më ka ardhur asnjë llaf që Laerti ta ketë bërë këtë gjë. Marjus Tahanin nuk e njoh fare. Nuk pajtohemi me Rigelsin.