22:00 / E Mërkurë, 24 Prill 2024 / AR

Gjysmë shekulli karrierë, Ministri i Kulturës Hajrulla Çeku me fjalë të mëdha për Danin

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i Qeverisë së Republikës së Kosovës Hajrulla Çeku ka pritur në takim shumë të veçant, këngëtarin e njohur shqiptar Ramadan Krasniqin – Danin. Pritja ka pasuar në shenjë respekti, për këngëtarin me gjysmë shekulli karrierë profesionale muzikore.

Duke e vlerësuar në piedestal, Ministri Çeku tha se biseduan mbi mundësinë e dokumentimit të punës kolosale gjysmë shekullore të këngëtarit.

’40 albume muzikore, 50 vite karrierë me plot suksese. Sot pata nderin ta pres në zyrën time, këngëtarin e madh shqiptar, Ramadan Krasniqi. Patëm bisedë të këndshme për veprimtarinë e gjatë artistike dhe kontributin e tij në skenën muzikore të vendit. Ky vit shënon gjysmë shekulli karrierë për të, prandaj folëm për mundësinë e dokumentimit të punës së tij. I urova shëndet, jetë të gjatë dhe vazhdimësi në muzikë.’-ka thënë ministri Çeku, për Danin, me rastin e kësaj pritjeje, e ku i pranishëm ka qenë edhe zv/Minstri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Taulant Kelmendi dhe miq e bashkëpunëtorë të këngëtarit.

Për pritjen ka folur edhe vet këngëtari Ramadan Krasniqi-Dani.

‘Faleminderit për ftesën, pritjen dhe respektin, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit z. Hajrulla Çeku dhe zv/Ministër i Arsimit, z.Taulant Kelmendi. Nderë i veçantë për mua dhe miq e bashkëpunëtorë, të ishim pjesë e këtij respekti që i bëhet punës dhe karrierës time, suksesin e të cilës ja dedikoi publikut.’-ka shkruar Dani.

Me 65 vitet e moshës, Dani këtë vit ka shkelur në pjesën e gjysmës së dytë të shekullit në muzikë.

Ndryshe, kjo ka qenë hera e parë që këngëtari përgjatë tërë karrierës së tij muzikore është pritur dhe nderuar në formë institucionale.