20:14 / E Shtunë, 04 Maj 2019 / indeksADMonline

Godin te Interi, zbulohen detajet e marrëveshjes

Tashmë dihet prej kohësh se Diego Godin do të jetë përforcimi i parë i Interit për merkaton verore, ndërsa sot media spanjolle “Cadena Cope” ka zbuluar detaje nga transferimi me parametra zero i uruguaianit te klubi zikaltër.

Kështu siç raportohet, mbrojtësi 33-vjeçar ka gjetur akordin me zikaltrit, për të nënshkruar një kontratë 3-vjeçare, me një pagë prej 6.75 milionë eurosh neto në sezon, ndërsa nëse kjo shifër konfirmohet, atëherë Godin bëhet lojtari më i paguar te Interi.

Po sipas “Cadena Cope”, Atletico ka tentuar t’i ndryshojë mendjen uruguaianit, duke i ofruar një kontratë të re 2-vjeçare, me 7 milionë euro pagë në vit, por nuk ia kanë dalë, pasi Godin ka qenë i bindur për t’u larguar drejt Interit.

Diego Godin numëron 8 trofe të fituar me Realin e Madridit, ndërsa ka fituar edhe një Kupë të Amerikës Latine në vitin 2011 me Uruguain. Me të në mbrojtje, Interi pritet të shtojë edhe më shumë eksperiencën në një repart që ka treguar soliditet në vitet e fundit.