08:11 / E Hënë, 27 Shtator 2021 / C E

Goditje e rëndë për Juventusin, humbet dy “gjeneralët” e sulmit

Probleme serioze te Juventusi. Massimiliano Allegri, në konferencën për shtyp pas ndeshjes kundër Sampdoria, konfirmoi se dëmtimet e Paulo Dybala dhe Alvaro Morata janë më të rënda nga sa pritej.

Tekniku toskan, në mikrofonat e “Sky” konfirmoi ndjenjat negative: “Dybala dhe Morata nuk do të jenë në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Chelsea, as në derbin me Torinon. Do të shohim pas pushimit, kur t’ua lëmë skenën kombëtareve në tetor”.

Pra, një goditje e dyfishtë negative për “Zonjën e Vjetër”, në funksion të angazhimeve të tjera të rëndësishme. Kampioni evropian, Chelsea, do të mbërrijë në “Allianz Stadium” të mërkurën për ndeshjen mes dy liderëve të grupit H.

Pa numrin e tij 9 dhe 10, Allegri do të detyrohet “t’i përziejë kartat” në repartin e avancuar, me Kean dhe Kulusevski të gatshëm të veshin një fanellë titullari. Të dielën e ardhshme, po ashtu do të ketë një sfidë tjetër shumë delikate: derbi me Torinon.

“Granatat” po kalojnë një moment pozitiv, ndaj edhe në këtë rast trajneri Allegri do të duhet “të shpikë” diçka, duke shfrytëzuar elementët e disponueshëm në repartin ofensiv, pa dy sulmuesit kryesorë. Duke pritur që të hidhet dritë mbi kohën e rikuperimit të spanjollit dhe argjentinasit, Juventusi futet kësisoji në javën tejet të rëndësishme pa dy “gjeneralët” e sulmit.