09:00 / E Enjte, 01 Tetor 2020 / C E

Goli i mrekullueshëm ndaj Tottenhamit, shoqërimi me Son – rrëfehet Nafiu

Shkëndija do të përballet të shtunën me Sileksin në kuadër të xhiros së 8-të në Ligën e Parë të Futbollit në Maqedoninë e Veriut.

Kuqezinjtë këtë duel e presin si liderë të renditjes me 5 pikë më shumë se vendi i dytë dhe skuadra do të kërkojë tri pikë për të shkuar në pauzën e kampionatit për shkak të ndeshjeve ndërkombëtare të paktën me diferencën momentale.

Javën e shkuar Shkëndija mbylli aventurën e sivjetshme europiane, që duhet vlerësuar me nota pozitive, duke llogaritur faktin se u mundën në transfertë ekipe si Sumgayit (0-2) dhe Botosani (0-1), ndërsa u eliminuam në Shkup pas humbjes 3-1 nga gjiganti anglez, Tottenham.

Për ecurinë e deritashme në kampionat, përballjen dhe golin e tij ndaj Tottenham dhe pritshmëritë e Shkëndijës në këtë sezon për “Shkëndija Channel” flet sulmuesi anësor, Valmir Nafiu.

Fitorja ndaj Pelisteri: “Me Pelisterin ishte një ndeshje e vështirë, posaçërisht në minutat e para. Por ne duke qenë një skuadër mjaft mirë të përgatitur arritëm të marrim rezultatin e dëshiruar. Ishte mjaft e vështirë sepse brenda tri-katër ditëve luajtëm dy ndeshje, nga ana fizike ishte mjaft e rëndë për disa lojtarë. Por prapëseprapë ne, si futbollistë profesionistë, e dhamë maksimumin që atë ndeshje, si çdo ndeshje tjetër ta mbyllnim me fitore.”

Përballja historike me Tottenhamin: “Ishte vërtetë si një ëndërr e bërë realitet, sepse Tottenhami është një ekip mjaft i fortë. Një ndjenjë që nuk përshkruhet me fjalë, sepse dikujt kjo mundësi nuk i jepet asnjëherë në jetë, kështu që në maksimum e shijuam këtë ndeshje.”

Momenti i golit: “Momenti i golit ishte diçka tjetër, që vërtet s’e përshkruaj dot. Kur topi përfundoi në rrjetë, në momentet e para nuk kam mundur ta besoj se ndodhi. Por kur e mendoj tani, përfundimisht është një moment që do ta kujtoj gjithë jetën time.”

Reagimi i bashkëlojtarëve: “Në atë moment edhe shokët nga gëzimi nuk mundnin ta besonin se ç’ndodhi, sepse ai gol bëri që rezultati të bëhej 1-1 dhe filluam të ëndërrojmë dhe të besojmë se mund të bëjmë befasi në minutat në vazhdim.”

Shoqërimi me Son: “Njihemi më herët, sepse kemi qenë bashkë te Hamburgu në Gjermani, gati tri vite kemi kaluar në atë skuadër dhe nga ajo kohë njihemi bashkë me Son. Ai  më komplimentoi për golin, më tha thjesht ishte një super gol.”

Shkëndija, si  fituese e këtij dueli: “E ndiejmë këtë edhe ne, futbollistët, sepse duke marrë parasysh atë që shkruhet në media apo vlerësimet e tifozëve, që janë jashtëzakonisht të kënaqur me ndeshjen dhe paraqitjen tonë. Kjo sigurisht na bën të ndihemi mirë moralisht pas kësaj përballjeje.”

Shkëndija i kthehet kampionatit: “Ndeshja e së shtunës me Sileksin nuk do të jetë e lehtë, por ne do të japim maksimumin për të marrë tri pikët. Shkëndija synon titullin e kampionit dhe për këtë arsye duhet të kemi vazhdimësi të fitoreve”.