13:06 / E Premte, 07 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Gratë ballafaqohen me barriera për punë

Gratë në ekonominë e Kosovës ende ballafaqohen me shumë sfida, në fuqinë punëtore më shumë se 80 përqind e grave janë joaktive, dhe për gratë që janë aktive, shkalla e papunësisë është rreth 40 përqind.

Kështu është thënë në tryezën “Drejt fuqizimit”, gjatë prezantimit të hulumtimit mbi tejkalimin e barrierave të mospjesëmarrjes ekonomike të grave dhe barrierave në vendin e punës, të publikuar sot nga Institutit Riinvest, i mbështetur nga USAID-i.

Në bazë të këtij hulumtimi, tre pengesat kryesore të identifikuara janë: mungesa e vendeve të përshtatshme të punës, mungesa e kohës për të punuar për shkak të obligimeve familjare dhe mungesa e qasjes në kujdesin ndaj fëmijëve; si dhe mungesa e mundësive të punës me kohë të pjesshme ose fleksibile

Drejtori ekzekutiv në Institutin Riinvest, Alban Hashani ka thënë se fuqizimi i grave në punë ndikon në ngritjen e mirëqenies. Ai ka kërkuar që ligjet të avancohen për të krijuar barazi.

“Fuqizimi i grave lidhet me pavarësinë ekonomike të tyre, dhe pjesëmarrja e tyre në tregun e punës është e rëndësishme që ta avancojë pozitën e tyre, përndryshe ato do të jenë në margjinat e shoqërisë dhe do të jenë dhe subjekt I dhunës gjinore, të cilën jemi dëshmitarë edhe në vitet e fundit dhe në vijimësi. Ne mendojë  se si çështje strategjike edhe për Institutin tonë, është përfshirja sa më e madhe grave në tregun e punës”, deklaroi Hashani.

Ndërsa, Nadeem Shahi nga USAID-i ka inkurajuar bizneset dhe institucionet e Kosovës që të mos i diskriminojnë gratë në procesin e punësimit.

Shahi: Barrierat  jo vetëm që i pengojnë gratë, por  Kosovën që ta rritë potencialin e vet

“Ne e dimë se gratë  e Kosovës janë të arsimuara dhe profesionalisht të përgatitura, dhe këto barriera jo vetëm që I pengojnë ato që të punojnë, por e pengon Kosovën që ta rritë potencialin vet. Derisa Kosova ka marr hapa për fuqizimin e grave duke përfshirë këtu edhe aftësimin profesional, Kosova duhet të bëjë edhe më shumë për të siguruar se gratë janë të inkurajuara që të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në ekonomi”, ka thënë Shai.. 

Igballe Rogova nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës ka thënë se sfidë  shqetësuese është se nuk ka punësim të mirëfilltë, pasi 64 përqind të grave të punësuara në sektorin privat nuk kanë guxuar të kërkojnë pushim të lehonisë

Gratë nuk guxojnë të kërkojnë pushim të lehonisë se frikësohen që e humbin vendin e punës. Në këtë situatë në Kosovë, që po i bën me humb vendin e punës, është vërtetë katastrofë. Sfida akoma më  madhe është kujdesi ndaj fëmijëve, ne akoma nuk e mendomë që një grua që punon duhet të ketë mundësi me pasur një kujdes, një vend ku kujdesen fëmijët”, ka thënë Rogova.

Në bazë të këtij publikimi, tre pengesat kryesore të vlerësuara nga gratë janë: niveli i ulët i pagës, mungesa e zbatimit të të drejtave të punëtorëve, mungesa e përfitimeve të punëtorëve. Nga gratë e punësuara, 60 përqind janë të punësuara në sektorin privat dhe rreth 28 përqind në sektorin publik, ndërsa të tjerat janë ose të vetë punësuara, punojnë në organizata joqeveritare ose në organizata ndërkombëtare. Po ashtu sipas këtij publikimi, një nga tri gra që punojnë në sektorin privat nuk kanë kontratë pune.