11:09 / E Hënë, 27 Janar 2020 / indeksADMonline

Grenell: Marrëveshja për trafikun hekurudhor, e rëndësishme për të dyja palët

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Richard Grenell ka deklaruar se marrëveshja për rindërtimin e trafikut hekurudhor në mes Prishtinës dhe Beogradit është një çështje shumë e rëndësishme për të dyja palët.

Madje ai tha se për këtë marrëveshje tashmë ka edhe përparim.

Grenelli deklaroi se vendosja e lidhjeve hekurudhore u bë përparësi pasi zyrtarët amerikanë ndërmjetësuan gjatë kësaj jave në arritjen e një marrëveshje për të rivendosur trafikun ajror midis dy vendeve, pas 21 vjetësh.

“Vizioni i presidentit Trump thjesht po ndodh. Komuniteti i biznesit dhe përqendrimi në krijimin e vendeve të punës janë çështje që po përparojnë”, tha Grenelli për AP, transmeton Indeksonline.

Grenelli vizitoi Prishtinën dhe Beogradin gjatë javës së kaluar ku tha se detajet e marrëveshjes për shërbimin hekurudhor do të diskutohen në një takim që do të zhvillohet sot në Berlin.

Ambasadori amerikan deklaroi se SHBA-ja dëshiron që të dyja palët të përqëndrohen në ekonomi, punë dhe prosperitet, si një mënyrë e efektshme për normalizimin e marrëdhënieve./Indeksonline/