15:09 / E Mërkurë, 09 Tetor 2019

Grenelli në takimin me Thaçin: Kosova dhe Serbia të gjejnë një zgjidhje së shpejti

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur ambasadorin Richard Grenell, Përfaqësues Special i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për marrëveshjen e paqes midis Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Thaçi ka falënderuar ambasadorin Grenell për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Republikës së Kosovës në të gjitha periudhat.

“Që nga viti 2008, nuk ka pasur kaq vëmendje të SHBA-së për Kosovën”, u shpreh presidenti Thaçi dhe shtoi: “Kjo shton konfidencën dhe besimin tonë në kërkimin e marrëveshjes së paqes me Serbinë”.

Në këtë takim u tha se marrëveshja e paqes midis Kosovës dhe Serbisë do t’i kontribuonte zhvillimit të Kosovës dhe tërë rajonit.

Ambasadori Richard Grenell, Përfaqësues Special i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka shfaqur shpresën se Kosova dhe Serbia do të takohen së shpejti dhe do të gjejnë një zgjidhje.

Ai ka theksuar se një marrëveshje ndërmjet dy shteteve do të vërë themelin për rritje ekonomike dhe do t’i kontribuojë mirëqenies së gjithë qytetarëve.

Presidenti Thaçi ka thënë se Republika e Kosovës do, të jetë konstruktive në gjetjen e një zgjedhjeje, e cila do t’i hapë rrugë zhvillimit dhe ka shtuar se “pjesëmarrja aktive e SHBA-së në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë përcaktuese”.