17:11 / E Mërkurë, 11 Prill 2018 / indeksADMonline

Gruaja e Agim Ramadanit: Udhëheqësit e vendit të mos e shkelin gjakun e dëshmorëve

Çdo ditë e bashkëshortes së komandantit Agim Ramadani është e njëjtë pasi që jeton pa më të dashurin e saj, i cili u shua për lirinë e vendit. Krahas dhimbjes së madhe që ndjen, Shukrie Ramadani thotë se në këtë ditë kur shënohet edhe 19-vjetori i rënies së Agim Ramadanit, dhimbjen ia bënë më të lehtë përkrahja e të gjithë bashkëluftëtarëve, familjarëve e udhëheqësve shtetërorë.

Gruaja e komandantit, Agim Ramadani, Shukria në një rrëfim për KosovaPress thotë se deri në momentin që kishte shkuar në Shqipëri kishte menduar që bashkëshorti i saj ishte i plagosur.Duke ndier gjithë dhimbjen e madhe që kishte për humbjen e më të dashurit të saj, Ramadani thotë se ajo i ngushëllon bashkëluftëtarët e Agimit, pasi që edhe amaneti i tij ishte që ajo të qëndronte e fortë pavarësisht çdo gjëje. Ajo shpreson se udhëheqësit vendorë asnjëherë nuk do shkelin mbi gjakun që u derdh për lirinë e vendit.

E bashkëluftëtari i Agimit, Milazim Mavraj rrëfen  disa nga momente kur e kuptuan që komandanti Agim Ramadani ishte vrarë duke thënë  se urdhrin e tij për të çliruar vendin nga okupatori serb e përdoren si kurajë për ta mundur dhimbjen.

Mavraj u shpreh se në momentin që Agimi nuk po lajmërohej në radiolidhje të gjithë ushtarët i kishte kap stresi pasi e kuptuan se ishte vrarë. Për personalitetin e Agim Ramadanit flet edhe bashkëluftëtari i tij, Feriz Trezhnjeva. Ai thotë se Agimi me bagazhin që posedon po të ishte gjallë do t’i ndihmonte vendit në avancimin e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.

Ndryshe, Agim Ramadani, komandanti i Brigadës 138 të Zonës Operative të Dukagjinit, i cili njihen me nofkën “Katana”, u lind në Zhegër të Gjilanit, më 3 maj 1963, ndërsa ra heroikisht më 11 prill 1999. Agimi la pas vetes gruan Shukrien dhe tre pasardhës, djemtë Jetonin dhe Edonin, si dhe vajzën Lorinën.