20:06 / E Diele, 21 Korrik 2019 / indeksADMonline

Gruaja i kërkon në emision live të mos e lërë: Ik, mos më kap mua!

Flutura është martuar me Arbenin tre vite më parë, ndërsa bashkë me ta jeton edhe mamaja e Fluturës. Pikërisht jetesa me mamanë e saj ka sjellë konflikte mes çiftit dhe familjarëve të Fluturës, aq sa tashmë Arbeni po mendon edhe largimin nga shtëpia. Por ky vendim është i papranueshëm nga Flutura, e cila përgjatë gjithë kësaj seance në “Shihemi në Gjyq”, i lutet bashkëshortit që të mos e bëjë, jo vetëm me fjalë. Ajo shkon herë pas here tek ai duke e kapur nga duart e bluza.

Arbeni nga ana e tij thotë se problemi nuk është dashuria për bashkëshorten. Ai tregon se kur vendosën që të martoheshin, i kërkoi Fluturës që të shkonte të jetonte me të në Fier. Por ajo nuk mundej sepse kishte nënën e sëmurë dhe duhej të kujdesej për të. Në këto kushte Arbeni shkoi të jetonte në shtëpinë e Fluturës në Elbasan.

Për shkak të gjendjes shëndetësore Arbeni nuk punon. Ai ka dy fëmijë nga një martesë e mëparshme, të cilët i dërgojnë atij para. Nga ana e saj, Flutura nuk mund të punojë pasi duhet të kujdeset për të ëmën, megjithatë kur vendosën që të jetonin bashkë, ajo e siguroi bashkëshortin se nuk do të duhej të mbante të ëmën e saj, pasi kjo e fundit kishte një pension në shtetin italian. Por këto para, në 3 vite martesë nuk erdhën asnjëherë.

Flutura thotë se paratë i mban vëllai i saj i vogël, që jeton në Itali. Ky i fundit e akuzon Arbenin se i ka zaptuar shtëpinë dhe se po shpenzon paratë e nënës së tij. Pikërisht kjo situatë e ka bërë të vështirë për Arbenin që të jetojë në shtëpinë e Fluturës, ndaj ka vendosur të largohet, duke i kërkuar Fluturës që të zgjidhë këtë problem që ai thotë është mes bashkëshortes së tij dhe vëllait të saj.