14:58 / E Premte, 05 Tetor 2018 / indeksADMonline

Gruevski: Aktvendimi i Gjykatës së Apelit është “përndjekje politike”

Ish-kryeministri i Maqedonisë dhe lider i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski e vlerësoi si “presion politik dhe përndjekje politike” vendimin e Gjykatës së Apelit që t’ia konfirmojë aktvendimin me burg të shkallës së parë për rastin “Tanku”.

“Siç e dini bëhet fjalë për përndjekje politike, për proces të montuar politik që po vijon. Gjëja e vetme që u ndryshua nga pres-konferenca e ime në Kuvend është që bënë anulimin për pas referendumit në vend që para tij”, deklaroi Gruevski në pauzën nga seanca e sotme gjyqësore për lëndën “Titanik” në Gjykatën Penale, në të cilën ai gjithashtu është i dënuar.

Akuzoi se po kryhet presion politik ndaj gjykatës, duke theksuar në deklaratën e u.d. kryetares së Apelit se është dashur të konfirmohet aktvendimi i tij.

“Bëhet fjalë për përndjekje klasike politike, për akuza se kam ndikuar që të blihet automjet me qëllim që krahas të tjerëve edhe unë të vozitem me të”, tha Gruevski.

Tha se ende nuk e ka marrë vendimin dhe se do t’i shfrytëzojë të gjitha mjetet juridike të cilat i ka në dispozicion.

I pyetur se nëse mund të presë të votojë në Kuvend me qëllim që të shpëtohet në ndonjë mënyrë nga burgu, Gruevski tha se nuk do t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese.

“Unë nuk do ta tradhtoj popullin, populli e tha të veten”, tha Gruevski.

Gjykata e Apelit sot e refuzoi ankesën e Gruevskit ndaj aktvendimit të shkallës së parë dhe ia konfirmoi dënimin prej dy vite burg për lëndën “Tanku” gjegjësisht për furnizimin e “mercedes”-it luksoz në vlerë mbi 600 mijë euro.