10:41 / E Enjte, 11 Tetor 2018 / indeksADMonline

Gruevski insiston se po ndiqet politikisht

Ish-kryeministri Nikolla Gruevski sërish është shfaqur me një postim në facebook ku shkruan se gjashtë hetimet e reja nga Prokuroria Speciale janë vetëm vazhdimësi e ndjekjes politike ndaj funksionarëve aktual dhe të kaluar të VMRO-DPMNE.

Sipas tij, qëllimi i kësaj është dobësimi i pozicioneve partiake dhe personaliteteve të saj, në kohën kur po ndodhin tendencat për ndryshimin e emrit, pas referendumit të pasuksesshëm, informon INA.

Ai ka thënë se akuza ndaj tij për shitjen e një toke ku po ndërtohet Universiteti Ballkanik është e pabazë, pasi që ajo hapësirë është shitur përmes licitimin publik elektronik dhe se çmimi prej 1 euro ka qenë bazë për shitjen, por pasi që nuk ka pasur kandidatë të tjerë konkurrues për të rritur çmimin, ajo është shitur në atë vlerë.

Ai ka hedhur akuza edhe për rastin “Propaganda”, duke theksuar se asnjëherë VMRO-DPMNE nuk ka pasur media dhe nuk ka bërë veprime të tilla për blerjen e mediave. Ish-kryeministri ka shkruar se Prokuroria Speciale është një instrument klasik për represion ndaj politikanëve që mendojnë ndryshe dhe që qëllimi është sa më shumë të mbahet në pushtet LSDM.(INA)