23:22 / E Diele, 22 Shtator 2019 / indeksADMonline

Grushte në tunel pas përfundimit të derbit shqiptar

Ndeshjet e vërteta, sidomos kur diskutohet midis dy ekipeve pretendente, prodhojnë herë pas here edhe sherr midis lojtarëve.

Kësaj nuk i shpëtoi as dueli midis Kukësit dhe Tiranës, i cili gjatë gjithë lojës ishte i dueluar, me gjakrat që nxeheshin minutë pas minute, duke sjellë në fund plasjen e një sherri gjatë futjes së ekipeve në tunel.

Nga zanafilla dhe deri te mbyllja e tij, gazeta “Panorama Sport” ka arritur të mësojë çfarë ndodhi në këtë incident.

ZANAFILLA – Gjatë minutave të fundit, sidomos pas ngushtimit të diferencës nga ana e bardhebluve, kur kishin mbetur më shumë se dhjetë minuta lojë, bashkë me shtesat, lojtarët nisën acarimin në fushë. Kulmi arriti në minutat e fundit, ku argjentinasi i Tiranës, Agustin Torasa, dhe kapiteni i Kukësit, Besar Musolli, u përplasen me njëri-tjetrin në fushë.

Gjithçka erdhi pas një ndërhyrjeje të rëndë të kosovarit. Aty ka përplasje masive, por që gjithsesi shuhet. Ndërkohë, bardheblutë nuk respektojnë “fair-play”-in nga rivënia anësore, duke irrituar shumë ekipin kuksian. Kjo nuk pritej nga lojtarët e ekipit verilindor, por që gjithsesi nuk u zunë shumë në befasi.

SHERRI – Në momentin që lojtarët po futeshin në dhomat e zhveshjes, mësohet se fillimisht ka pasur një përplasje të Musollit me Torasën, me kosovarin që mendohet se e ka goditur i pari. Të dy lojtarët nuk e kishin lënë inatin vetëm brenda fushës. Edhe lojtarë të tjerë shfrynin në distancë ndaj njëri-tjetrit, ndërsa më aktiv për t’ju kundërvënë Musollit ishin Edvan Bakaj dhe Tefik Osmani. Mirëpo, ndërkohë që Musolli me Torasën përplasen në tunel, ndërhyjnë futbollistët me stafet e të dyja ekipeve për t’i ndarë.

Kjo krijoi një kaos aty, bashkuar me stjuartët që mundoheshin të mos lejonin incidentet e mëtejshme. Në këto momente, menjëherë erdhën edhe efektivët e policisë, të cilët janë shtyrë me lojtarët, sidomos me ata të Tiranës. Pasi plas sherri, ndërhyn edhe presidenti Safet Gjici, i cili, si për koincidencë, në atë moment ishte duke dhënë një intervistë për “Panorama Sport”, por që me të dëgjuar zhurmat, hyn në hollin e stadiumit dhe mundohet të qetësojë situatën.

POST-SHERRI – Pasi kishte mbaruar gjithçka dhe lojtarët ishin futur në dhomat e zhveshjes, holli i stadiumit u rrethua nga stjuartë, të cilët kishin bërë kordonin për të mos lejuar një tjetër konfrontim, edhe pse situata u duk sikur u qetësua. Ndërkohë, një moment trajneri i Tiranës, Ardian Mema, del jashtë ambienteve të stadiumit dhe bisedon me përgjegjësin e Policisë së Rendit, i cili ishte pjesë e atij sherri, pasi u fut për t’i ndarë lojtarët.

U mësua se një nga lojtarët e Tiranës, Tefik Osmani, në konfrontim e sipër kishte goditur edhe një oficer policie dhe Mema po sqaronte pikërisht këtë moment, në mënyrë që të mos merrej ndonjë masë. Gjithsesi, mesa duket gjithçka u mbyll me aq dhe nuk pati asnjë masë për asnjë futbollist, duke u konsideruar thjesht si diçka që ndodh.