Guterres: Lindja e Mesme po përballet me rrezikun e një konflikti në shkallë të plotë
Shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka paralajmëruar se rajoni i Lindjes së Mesme po përballet me kërcënimin real të një konflikti në shkallë të gjerë.
Këto paralajmërime ai i bëri gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të dielën, mbledhje në të cilën Izraeli dhe Irani akuzuan njëri-tjetrin se po kërcënojnë paqen në Lindjen e Mesme dhe se secili prej tyre i bëri thirrje këtij institucioni që të vendosë sanksione ndaj palës tjetër.
“Lindja e Mesme është në prag. Populli i rajonit po përballet me kërcënimin real të një konflikti shkatërrues në shkallë të plotë. Tani është koha që të shtensionohet situata”, ka deklaruar Guterres në mbledhjen e thirrur pas sulmeve me raketa dhe dronë që kreu Irani ndaj Izraelit.
Guterres ka bërë thirrje për përmbajte, duke theksuar se “as rajoni, e as bota, nuk mund të përballojë më shumë luftë”.
Por, Izraeli dhe Irani akuzuan njëri-tjetrin për destabilizimin e situatës në rajon.
“Maskat po bien. Irani, sponsori numër një i terrorit në botë, e ka treguar fytyrën e vërtetë si një destabilizues i rajonit dhe botës”, ka thënë ambasadori izraelit në OKB, Gilad Erdan.
“Maskat po bien dhe duhet të vishen dorezat”, ka thënë ai, duke i bërë thirrje Këshillit të Sigurimit që “të ndërmarrë veprime”, raporton Radio Evropa e Lirë.
Erdan i ka kërkuar Këshillit të Sigurimit që të shpallë Gardën Revolucionare të Iranit si organizatë terroriste dhe “të vendosen të gjitha sanksionet e mundshme ndaj Iranit para se të jetë shumë vonë”.
Në veçanti ai kërkoi që të aktivizohej një mekanizëm që do t’iu mundësonte shteteve që nënshkruan marrëveshjen bërthamore me Iranin më 2015 – nga e cila Shtetet e Bashkuara u largua më 2018 – të rivendosin sanksionet ndërkombëtare ndaj Teranit.
“Ne kemi një përgjegjësi kolektive si anëtarë të Këshillit të Sigurimit që të sigurohemi që Irani të respektojë rezolutat e Këshillit dhe të ndalë shkeljet e Kartës”, ka deklaruar zëvendësambasadori amerikan në OKB, Robert Wood.
Ai shtoi se në ditët në vijim, SHBA-ja do të “eksplorojë masa shtesë për të mbajtur përgjegjës Iranit”.
Të shtunën në mbrëmje, Irani nisi një sulm direkt ndaj armikut të tij të përbetuar Izraelit, duke lëshuar mbi 300 dronë dhe raketa.
Pothuajse të gjithë dronët dhe raketat u shkatërruan nga Irani dhe shtetet e tjera, përfshirë SHBA-në, Jordaninë dhe Britaninë.
Irani ka thënë se sulmi u krye në kundërpërgjigje të sulmit vdekjeprurës ajror ndaj Konsullatës së Teheranit në Damask të Sirisë më 1 prill.
Për këtë sulm, në të cilin u vranë shtatë anëtarë të Gardës Revolucionare përfshirë dy gjeneralë, Irani ka fajësuar Izraelin.
Gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme, ambasadori i Iranit në OKB, Amir Saeid Iravani insistoi se Republika Islamike po “ushtron të drejtën e saj të qenësishme të vetëmbrojtjes”.
“Këshilli i Sigurimit ka dështuar në detyrën e tij që të ruajë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, ka thënë Iravani.
Prandaj, Teherani “nuk kishte zgjidhje”, pos të përgjigjej, ka thënë ai, duke shtuar se shteti i tij “nuk kërkon përshkallëzim apo luftë”, por do të përgjigjet ndaj çdo “kërcënimi apo agresioni”.
Në fjalën e tij, ai po ashtu hodhi akuza në drejtim të Izraelit.
“Është koha që Këshilli i Sigurimit të marrë përgjegjësinë e tij dhe të trajtojë kërcënimin real ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”, ka deklaruar Iravani.
Sipas tij, Këshilli “duhet të marrë masa urgjente dhe ndëshkuese për të detyruar këtë regjim që të ndalojë gjenocidin ndaj popullit të Gazës”.
Rritja e tensioneve mes Izraelit dhe Iranit po ndodh në kohën kur lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – në Gazë ka hyrë në muajin e shtatë.
Lufta nisi pasi grupi radikal palestinez sulmoi Izraelin, duke vrarë 1.200 persona, shumica civilë, dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. Ndërkaq, si pasojë e ofensivës izraelite në gazë janë vrarë më shumë se 33.000 persona, shumica gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Që nga revolucioni në Iran më 1979, Teherani e ka konsideruar Izraelin si armik dhe ka bërë thirrje për shkatërrimin e tij.
Deri më tani, Teherani ishte përmbajtur nga një sulm direkt ndaj Izraelit, por dy shtetet janë konfrontuar me njëri-tjetrin përmes palëve të treta.