12:46 / E Enjte, 04 Korrik 2019 / indeksADMonline

Hahn në Poloni: Çështja e taksës 100% të zgjidhet sa më shpejtë që të jetë e mundur

Komisioneri i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn ka përmendur çështjen e taksës 100% sot në samitin e Ballkanit Perëndimor që po zhvillohet në Poznan të Polonisë.

Hahn ka bërë thirrje që të zgjidhet çështja e vendosjes së taksës ndaj produkteve serbe dhe atyre të Bosnje Hercegovinës, sa më shpejtë që të jetë e mundur.

“Ne shpresojmë që të nënshkruajmë këtu në Poznan disa marrëveshje për të liberalizuar tregtinë dhe për të lehtësuar shërbimet. Ne kundërshtojmë fuqimisht imponimin e barrierave tregtare si një mjet për presion politik “, ka deklaruar Hahn.

Ai theksoi poashtu se krerët e Ballkanit Perëndimor duhet të punojnë drejt marrëdhënieve të mira fqinjësore, bashkëpunimit rajonal dhe pajtimi kuptimplotë pasi ato janë parakushte për t’u bashkuar me BE-në.

Hahn gjithashtu tha se gjithë rajoni duhet të ndjekë shembullin e Maqedonisë Veriore dhe të rrisë ritmin e reformave, veçanërisht në sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe qeverisjen e mirë./Indeksonline/