12:35 / E Martë, 14 Korrik 2020 / indeksADMonline

Hajdini: Nëse dikush ka dyshime në aftësinë e Zemajt, duhet menduar se a dyshon dikush në ministrat në Amerikë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkëlzen Hajdini, gjatë fjalës së tij në Kuvend ka krahasur ministrit e Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj me ata amerikanë.

Hajdini tha se nëse dikush ka dyshime në aftësinë e ministrit Zemaj, atëherë duhet menduar se a ka dyshime dikush në ministrat e Amerikës.

“Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se kemi të bëjmë me një virus agresiv dhe shumë të panjohur. Gjatë koalicionit qeverisës me Vetëvendosjen u arrit të ulej numri i të të infektuarve, duke vendosur orarin e qarkullimit të qytetarëve dhe mbylljen e bizneseve, por megjithatë strategjia nuk mund të vazhdojë gjatë. Ne sot kemi dy mundësi, të karantinojmë qytetarët ose të mbyllim bizneset ose të lejojmë bizneset e të ushtrojmë veprimtarinë e tyre dhe të rrisim masat e disiplinës”, tha Hajdini, transmeton Indeksonline.

Ai theksoi se nuk guxohet të mendohet për mbylljen e përgjithshme të bizneseve, por që duhet fokusuar në rritjen e disiplinës dhe respektimin e masave.

“Mos t’i shkojë askujt ndërmend të mbyllë bizneset pasi kjo mund të jetë fatale, mund të bëhet vonë. Nga Zemaj kërkoj të angazhojë më shumë mjekë, më shumë vullnetarë, t’u mundësojë atyre të punojnë. Të blihen më shumë shtretër, të rrisim fushatën mediale dhe elektronike për mbajtjen e maskave dhe të jetë strikte respektimi i masave nga qytetarët dhe bizneset”, tha ai.

Deputeti po ashtu tha se është shumë krenar për qeverisjen që LDK-ja pati me Vetëvendosjen, por që rrethanat ishin të atilla që s’u arrit të vazhdohej më./Indeksonline/