15:20 / E Diele, 05 Gusht 2018 / indeksADMonline

Hajduti spiunon shokun, tregon pse e grabitën argjendarinë

“Grabitëm argjendarinë në Durrës, pasi desha të laja një borxh që ia kisha marrë një mikut tim, por nuk llogarita kamerat e sigurisë apo ndonjë që mund të na identifikonte”.

Kështu është shprehur njëri prej autorëve të arrestuar gati katër muaj pas grabitjes së argjendarisë në qendër të Durrësit, në bulevardin kryesor të qytetit. Blutë e Durrësit bënë të ditur dje se finalizuan operacionin e koduar “Argjendaria “, zhvilluar me metoda speciale të hetimit, duke identifikuar dhe vënë në pranga një nga dy autorët.

Sipas Policisë, në pranga ka përfunduar shtetasi Robert Hasmuça, 22 vjeç, banues në Tiranë. “Vihet në pranga nga Forcat Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës autori i dyshuar i vjedhjes me dhunë të një argjendarie në bulevardin kryesor, në vlerën rreth 5.6 milionë lekë.

Mësohet se 22- vjeçari ishte identifikuar prej disa kohësh dhe Forcat Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës organizuan operacionin e koduar “Argjendaria”, operacion i ndjekur me metoda speciale, ku në një zonë të Tiranës kanë kapur dhe ndaluar autorin e dyshuar, shtetasin Robert Hasmuça.

Uniformat blu kanë ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest me burg” të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, Vendim Nr.216, datë 20.06.2018 në ngarkim të Hasmuçës. Në bashkëpunim me një shtetas tjetër, në Lagjen Nr.4 kanë vjedhur me dhunë një argjendari ku kanë marrë rreth 2 kg florinj me vlerë rreth 5.6 milionë lekë. Menjëherë pas arrestimit, hetuesit kanë marrë në pyetje 22-vjeçarin, i cili mësohet të ketë pranuar krimin, teksa është vënë para provave dhe fakteve të pakundërshtueshme.

Fillimisht ai mohoi autorësinë e ngjarjes, por kur u ballafaqua me sekuencat filmike të kamerave të sigurisë, ka pranuar se ishte ai personi që dukej në këto pamje. 22-vjeçari ka deklaruar se i duheshin para, pasi ia kishte borxh dikujt dhe duhej t’ia kthente. “Unë jam njëri nga dy personat që u futëm dhe grabitëm argjendarinë në Durrës. Isha së bashku me një shokun tim. Të dy bashkë u futëm dhe morëm rreth dy kg florinj në bizhuteri. Bizhuteritë i shitëm diku nën dorë te persona të ndryshëm nëpër lagje në bulevard, por edhe te tregtarë të ndryshëm me çmime shumë herë më të lira sesa blihen në dyqan.

Grabitjen e kryem pasi më duheshin para, i kisha një mikut tim një sasi të konsiderueshme të hollash borxh. Unë jam i papunë dhe ai m’i kërkoi lekët. Isha shumë ngushtë dhe prandaj bashkë me shokun tim organizuam grabitjen. Por nuk morëm parasysh fare pasojat. Pra, nuk llogaritëm asgjë, as kamerat e sigurisë dhe as nëse do të na identifikonte ndonjë person për vetë faktin se jetojmë në Tiranë dhe jo në Durrës”, ka pohuar ndër të tjera 22-vjeçari, ndërsa ka treguar edhe emrin e bashkëpunëtorit të tij, identiteti i të cilit mbahet i fshehtë nga Policia, që po vazhdon punën për arrestimin e tij.