11:30 / E Premte, 19 Mars 2021 / OSH

Hajrizaj, 1-shi që e dërgoi Istogun në gjysëmfinale pas 41 viteve

Istogu ka arritur pas 41 vjetësh të kualifikohej dje në gjysëmfinalen e Kupës së Kosovës.

Djelmoshat e udhëhequr nga Nazmi Rama e merituan kualifikimin duke treguar performancë stabile në ndeshjen ndaj A & N dhe në përballjet e kaluara në këtë rrugëtim suksesi.

Pa dyshim që njeriu më i merituar për këtë sukses është portieri i Istogut, Valmir Hajrizaj. Për 35-vjeçarin vitet janë vetëm numra, ngase klasi dhe forma e tij është në nivele të larta.

Vali nga Novosella ka arritur që të ishte heroi i ndeshjes, duke pritur penalltinë vendimtare.

Madje, Hajrizaj gjatë ndeshjes kishte edhe tri pritje bravoroze që ishin pikënisje e Istogut drejt suksesit më të madh që ka arritur viteve të fundit.

Hajrizaj njihej si legjendë e klubit futbollistik Istogu, duke qëndruar pjesë e kësaj skuadre pavarësisht ofertave që kishte nga skuadra të ndryshme.

Tifozët e Istogut e njohin atë edhe për pasionin e madh që ka për klubin, duke qenë gjithmonë 100% me shpirt luftarak dhe dashuri për skuadrën e tij./Indeksonline/