19:01 / E Shtunë, 06 Janar 2018 / indeksADMonline

Haliti parashikon rrezik për Kosovën, në rast se s’dëgjohen kërkesat e ndërkombëtarëve

Deklarata e përbashkët nga; SHBA, Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia që ftojnë udhëheqësit politikë të Kosovës të heqin dorë nga çdo tentativë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale po del të jetë serioze dhe e rëndësishme për vendin tonë.

Ambasadorët e vendeve të QUINT-i e kanë dënuar marrjen e ndonjë vendim të tillë të mundshëm. Sipas tyre, kushdo që mbështet një gjë të tillë vepron qëllimisht kundër partneritetit të Kosovës me vendet përkatëse.

Kësisoj, çështja e shfuqizimit të mundshëm të Gjykatës Speciale me një ligj, nga ana e parlamentit të Kosovës, duhet të shikohet kujdesshëm nga gjithë spektri politik. Kështu ka deklaruar në një intervistë për “Indeksonline”, nënkryetari i Parlamentit, njëherësh deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti.

Figurat kryesor politike duhet ta gjykojnë në përputhje situatën aktuale për ta ç’tensionuar situatën dhe raportet me shtetet perëndimore dhe për të ecur bashkë me ta në proces, thotë ai.  Qëndrimi i ambasadave, sipas Halitit, është i ditur dhe ka qenë i njohur edhe në kohën kur është formuar Gjykata Speciale.

“Kjo që ambasadat e thonë dhe e kanë thënë publikisht është një çështje për të cilën politikanët e mirëfilltë dhe ata që kanë përgjegjësi për Kosovën duhet ta marrin seriozisht. Të njëjtit duhet të shqyrtojnë mundësinë e daljes nga kjo situatë në variantin më të mirë të mundshëm që i bie Kosovës”, u shpreh ai.

Më tej, deputeti nga radhët e PDK-së thotë se një deklaratë e tillë nuk ndodhë shpesh, vetëm në rast të kriza tepër të mëdha dhe në një situatë të cilën kanë përgjegjësi të gjithë.

“Besojë që edhe përfaqësuesit e shteteve që i kanë deklaruar politikat e shteteve të tyre (QUINT) dhe nëse ne si marrim parasysh këto deklarata dhe nuk i trajtojmë në mënyrën e duhur, duke marrë vendime, atëherë neve si Kosovë mund të kemi pasoja të rënda”, ka theksuar ai.

Megjithatë, Haliti shprehet se nuk mundem t’i di pasojat apo masat që do të merren por ajo të cilën e thonë përfaqësuesit kryesor të shteteve perëndimore, të cilat kanë investuar për lirinë e Kosovës miliarda, miliarda dollarë për ndërtimin e Kosovës dhe kanë bërë një akt tepër të rëndësishëm për çlirimin e Kosovës, duhet të merret parasysh. “Nuk jemi duke luajtur ne mes vete, këta nuk janë parti politike”, thotë ai.

Haliti thekson se qëndrimi i tij para disa vitesh ishte pro Gjykatës Speciale por që e njëjta të ishte brenda territorit të Republikës tonë e jo jashtë saj.

“Tani vendimet e Kuvendit që janë me shumicë votash, sipas  rregullores, duhet me qenë të zbatueshme edhe për ata që e votojnë por edhe ata që se votojnë. Është një vendim që s’mundet të thotë askush që është i kundërligjshëm sepse unë apo partia se kemi votuar”, ka theksuar ai.

Sipas nënkryetarit të Kuvendit, vendimi i legjislativit është i ligjshëm dhe obligues si ligj për të gjithë protagonistët që duhet ta zbatojnë këtë ligj, përfshirë edhe ata që do të jenë në kontakt apo probleme me të kaluarën personale por edhe me ligj-zbatuesit që janë organet e shtetit.

“Tendenca për ta ndryshuar apo shfuqizuar këtë ligj është përpjekje e 44-deputetëve të cilët e kanë nënshkruar dhe kanë kërkuar që kjo të procesohet në Kuvendin e Kosovës, në seancë të jashtëzakonshme, me qëllim që të shfuqizohet ligji për Specialen”, ka thënë në fund ai. /Indeksonline/