75 Mall Live Search
12:20 / E Enjte, 27 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Hamza: Viti 2018 po përmbyllet me rritjen më të madhe ekonomike në 5-6 vitet e fundit

Ministri i Financave, Bedri Hamza ka deklaruar se rritja ekonomike për këtë vit do të jetë 4.3 përqind që është rritja më e madhe në 5-6 vitet e fundit dhe kryesisht ka ardhur si rezultat i investimeve.

Në konferencën e fundvitit, ministri tha se viti po përmbyllet mirë, pasi që ministria që ai e drejton ka arritur të përmbushë të gjitha transferet sociale pa vonesë dhe se kanë ekzekutuar çekun, deficit primar të pranueshëm.

Ai u shpreh se kanë përgatitur buxhetin me kohë, derisa tha se i mbetet Kuvendit të mblidhet apo jo, porse shtoi se presin që ata të bëjnë punën e vet.

Një ndër të arriturat e këtij viti për Ministrinë e Financave, ai tha se janë edhe nënshkrimi i 25 marrëveshjeve financiare, ku prej tyre 17 janë grante, që kapin vlerën prej 181 milionë e 469 mijë euro.

“Rritja ekonomike për këtë vit do të jetë 4.3 përqind që është rritja më e madhe në 5-6 vitet e fundit. Kjo kryesisht ka ardhur si rezultat i investimeve. Kemi një rritje të hyrave për buxhetin e Kosovës 6 përqind dhe kjo ka ardhur si rezultat i menaxhimit të mirë të të hyrave. Ndërsa në mos përmbushjen e këtij plani në tërësi ka ndikuar mos arritja e menaxhimit të mirë të të hyrave nga komunat”, tha ai.

Ai bëri të ditur se presin që bilanci bankar në vitin që hyjmë do të jetë 385 milionë euro. Ndërsa tha se deficiti buxhetor ka qenë i projektuar për 2 përqind, por shihet që deficiti primar për këtë vit është 0.9 përqind.

Sipas tij, është inkurajues fakti se investimet kapitale këtë vit kalojnë shumën prej 500 milionë euro. Ndërsa shtoi se kanë rritur buxhetin e pagave për këtë vit.

Hamza bëri të ditur se Kosova ka borxhin më të vogël publik në rajon.