13:20 / E Enjte, 24 Maj 2018 / indeksADMonline

Hapet ekspozita për kontributin e Ibrahim Rugovës (Video/Foto)

Në sektorin e Historisë së Muzeut të Kosovës sot është hapur ekspozita historike me titull “titull “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës”.

Kjo ekspozitë ka dy bashkautor, Dr. Sadik Krasniqi dhe Ma. Besnik Rraci, raporton Indeksonline.

Drejtori i Muzeut, falënderoi të gjitha institucionet dhe organizatat që ndihmuan në organizimin e kësaj ekspozite, duke ndihmuar autorët me ofrimin e materialistëve.

Kurse, presidenti Hashim Thaçi ka thënë se është i nderuar që mori pjesë në hapjen e kësaj ekspozite.

“Pak para se të vij këtu kisha nderin të ndajë çmimin për Presidentin Historik, çmimin për liri dhe pavarësi që jepet për 10 vjetor pra çmimin e meritave. Prandaj kushdo që do të vizitojë ketë ekspozitë do të ketë mundësi të kthehet ne kohë të viteve të rënda e tragjike të këtij vendi që pashmangshëm lidhen me emrin e presidentit Rugova. Lëvizja për pavarësi si në dimensionin politiko dhe ushtarak bënin bashkë intelektualet ushtarakë, gra e burra me qëllim të vetëm, këtij populli liridashës e kryengritës, t’i jepet e drejta për të qenë i lirë dhe për të pasur shtetin e vet. Duke qenë bashkë arritëm përkrahjen e botës perëndimore për çlirim”, ka thënë Thaçi.

Ai theksoi se me presidentin Rugova dhe shumë bashkëpunëtorë të tjerë ishin në Rambuje, ku përgatitën Kosovën për t’u bërë e pavarur, ishin në Uashinton e Bruksel si dhe qendra tjera botërore, për të ndërtuar raportet që Kosova ka sot me vendet tjera.

“Pavarësia e Kosovës nuk erdhi si incident a aksident politik. Kjo u fitua me sakrificë të pashoqe ku rol të pazëvendësueshëm ka presidenti Rugova. UÇK ishte lëvizja më e suksesshme ushtarake. Presidenti Ibrahim Rugova ishte njeri i dialogut dhe negociatave. Ishte njeri i durimit i pajtimit dhe vizionit. Sot çdo parti dhe lider politik duhet të shikojë perspektivën euroatlantike të Kosovës pa interesa politike ashtu siç vepronim bashkarisht në të kaluarën. Kosova sot ka identitetin e vet shtetëror dhe identitet evropian. Shteti i Kosovës është mbi të gjitha dhe para çdo adrese politike. Kjo ekspozitë shprehë vlerësimin institucional e shtetëror të rolit dhe kontributit të presidentit Rugova për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, tha tutje Thaçi.

Ish-kryeministri i Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi tha se fotografitë e shfaqura në ekspozitë e tregojnë qartë çka ka hequr shteti i Kosovës.

Ai ka thënë se Kosova ka punë me Serbinë, e cila po e bllokon vendin.

“Këtu nuk jam sot për t’i treguar të hequrat e mia se ky popull ka hequr boll. Pas këtyre fotografive e teproj nëse flas. Kemi punë me Serbinë akoma kështu që kjo po na bllokon keq, dhe duhet të jem optimist pas këtyre negociatave. Ne tjerët kemi qenë hyzmeqarë të Rugovës. Kjo rezistencë e ka përgatitë shtratin e pavarësisë së Kosovës. Duke e pas sponsorin e fortë, SHBA-në arritëm që Serbia të përzihet nga këtu”, ka theksuar Bukoshi. /Indeksonline/