10:34 / E Martë, 31 Mars 2020 / indeksADMonline

Hapet konkurs për ambasadorët: ‘Ka kaluar koha kur zgjidheshin në tavolinat e ministrave dhe pa konkurs’

Shefi i kabinetit të ministrit të Jashtëm dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti ka deklaruar se kjo ministri ka shpallur konkursin e brendshëm për t’u zgjedhur diplomat në ndonjërën prej misioneve diplomatike të Kosovës.

Në postimin e tij, Ahmeti tha se ky lloj i konkursit shpallet për herë të parë që nga themelimi i ministrisë së Jashtme.

Gjithashtu ai shtoi se ka kaluar koha kur diplomatët zgjidheshin në tavolina të ministrave dhe pa konkurs, transmeton Indeksonline.

Postimi i plotë:

Për herë të parë që nga themelimi i MPJ-së, sot është shpallur konkursi i brendshëm ku diplomatët tanë mund të kandidojnë për t’u dërguar në njërën nga misionet diplomatike të Republikës sonë. Gara e brendshme dhe procedurat transparente do të garantojnë përzgjedhjen më të mirë të mundshme të diplomatëve, të cilët do t’i zgjerojnë e thellojnë raportet me vendet e tjera dhe do t’i mbrojnë interesat e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Më nuk ka dërgime në misione e gradime të diplomatëve të cilat bëhen me arbitraritet e në tavolinë të Ministrit. Tash e tutje do të ketë procedura transparente, me kritere objektive dhe rezultate të drejta dhe meritore.