15:45 / E Diele, 22 Nëntor 2020 / Blerim

Hapet pishina e rrallë në Poloni, më e thella në botë

Një pishinë 45.5 metra e thellë, me guva artificiale të nënujshme dhe rrënoja majane, struktura më e thellë e tillë në botë, është hapur këtë fundjavë pranë Varshavës. Kompleksi, i quajtur DeepSpot, përfshin edhe një zonë të vogël për zhytësit e pasionuar ku ata mund të eksplorojnë.

Siç shihet në një vidoe të publikuar nga mediat e huaja, pishina ka 8 mijë metra kub ujë, 20 herë më shumë se një pishinë e rregullt 25 metërshe.

Ndryshe nga pishinat normale, Deepspot, mund të qëndrojë e hapur pavarësisht kufizimeve të koronavirusit në Poloni sepse ajo është edhe një qendër trajnimi që ofron kurse. Po ashtu është ndërtuar dhe një hotel me dhoma nga të cilat klientët mund të shohin zhytësit në një thellësi prej pesë metrash.

“Kjo është pishina më e thellë në botë”, thotë drejtori i Deepspot, një 47 vjeçar që vetë është i apasionuar pas zhytjeve. Rekordin aktual e mbante një pishinë në montegrotto terme, në Itali, me thellësi 42 metra. Një tjetër pishinë, Blue Abyss, që planifikohet të hapet në Britani në 2021, do të jetë 50 metra e thellë.