10:37 / E Enjte, 30 Gusht 2018 / indeksADMonline

“Hapi i dytë drejt heqjes së regjimit të vizave për kosovarët u mbyll me sukses”

Kosova mori sot rekomandimin për liberalizimin e vizave me 30 vota pro, dhjetë kundër dhe dy abstenime në Komitetin për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme-LIBE.

Pas këtij votimi, kryeministri i Kosovës Ramush Hardinaj e ka parë këtë si një hap tjetër të madh të Kosovës.

Haradinaj ka thënë se pas plotësimit të të gjitha kushteve për liberalizim, hapi i dytë drejt heqjes së regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës u mbyll me sukses.

Sipas tij Kosova ka bërë punë të madhe, veçanërisht në fuqizimin e sundimit të ligjit andaj është e sigurt se do të përmbyllet me sukses i tërë procesi, duke u mundësuar qytetarëve lëvizje të lirë në vendet e BE-së, transmeton Indeksonline.

Postimi i plotë:

Pas plotësimit të të gjitha kushteve për liberalizim, hapi i dytë drejt heqjes së regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës u mbyll me sukses. Parlamenti Evropian, respektivisht Komiteti LIBE për të Drejta Civile, Drejtësi, dhe Çështje të Brendshme, aprovoi sot mandatin për hapjen e negociatave me Komisionin Evropian për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Kosova ka bërë punë të madhe, veçanërisht në fuqizimin e sundimit të ligjit, andaj është e sigurt se do të përmbyllet me sukses i tërë procesi, duke u mundësuar qytetarëve tanë të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së.

Mirënjohës për angazhimin e madh dhe të vazhdueshëm të eurodeputetes dhe raportueses për liberalizim të vizave në Parlamentin Europian, Tanjo Fajon, dhe të gjithë europdeputetëve tjerë që votuan pro lëvizjës së lirë për kosovarët.

RH