11:08 / E Hënë, 26 Gusht 2019 / indeksADMonline

Haradinaj-homazhe te varri i Rugovës, thotë se nuk po e bën për fushatë

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj të hënën ka bërë homazhe tek varri i ish- presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Sipas tij kjo vizitë nuk ka motive të fushatës dhe se kjo datë ka qenë e dakorduar javë më herët në ditëlindjen e Nënë Terezës.

Politikën e ish- presidentit Rugova, Haradinaj e ka vlerësuar si humane, paqësore dhe në mbrojtje të të drejtave të popullit të vet.

“Ka një kohë që jemi dakorduar për një datë të tillë për një vizitë në familje , realisht disa javë më herët edhe është edhe vullneti i familjes por për datë e kemi dakorduar datën e ditëlindjes së Nënës Terezës, njëfarë mënyre presidenti Rugova ka qenë po ashtu një politiëk humane, paqësore me interes të popullit të vetë, në mbrojtje të të drejtave të popullit të vetë. Fushata shyqyr që erdhi se e kanë kërkuar të gjithë“, tha Haradinaj.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, u shpreh se nuk e di nëse presidenti Thaçi do t’a shpallë sot datën e zgjedhjeve.

Por sipas tij në ditën e shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, e cila ndodhi më 22 gusht, u tregua që Kosova ka nivel të lartë të demokracisë.

“Nuk e di se a do e shpall sot nëse e shpall sot pse jo, e tani është vetëm është në kompetencat dhe autorizimet të veproj, meqenëse parlamenti është shpërndarë ajo që dua të them edhe njëherë me e përsëritë sepse e shoh se po ik pa e vu në shprehje mjaftueshëm është se vërtet kemi treguar se jemi një demokraci e avancuar, kemi pjekuri politike, pra mënyra e shpërndarjes së parlamentit është një nivel i lartë i demokracisë në Kosovë“, deklaroi ai.

Haradinaj pas homazheve te varri i ish- presidentit, ka vizituar edhe familjen Rugova por pa praninë e mediave.

Kujtojmë se shpërndarja e Kuvendit të Kosovës e cila hapi rrugët drejt zgjedhjeve, erdhi pasi që kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj dha dorëheqjen pasi mori ftesë nga Gjykata Speciale.